Dhuroni nga linku GoFundMe!
Katër vite më parë, jeta e Lolës ndryshoi përgjithmonë. Një diagnozë e rëndë, kanceri i gjirit e detyroi atë të hyjë në një betejë të gjatë e të lodhshme. Për një vit me radhë iu nënshtrua kimioterapisë pa asnjë pushim, dhe më pas iu desh të përballonte një operacion të vështirë, duke humbur njërin gji. Megjithatë ajo mbeti e fortë, duke shpresuar se pas kësaj gjithçka do të merrte fund.
Por vetëm shtatë muaj më vonë, kontrolli mjekësor solli lajmin që askush nuk dëshironte ta dëgjonte: sëmundja ishte përhapur në pjesë të ndryshme të trupit. Lola u detyrua të rifillonte sërish kimioterapinë, por këtë herë trupi i saj i lodhur e ka gjithnjë e më të vështirë ta përballojë.
Fiona, e bija e saj, është dëshmitare e përditshme e kësaj lufte. Ajo ka mbetur e rraskapitur mes dhimbjes, përgjegjësive dhe mungesës së shpresës. Kursimet e familjes janë shpenzuar të gjitha për trajtimet mjekësore, ndërsa Fiona nuk mund të punojë, sepse duhet të kujdeset për binjaket e saj të vogla vetëm 4 muajshe. I vetmi që siguron të ardhura është bashkëshorti i saj që punon në Itali, por ato mezi mjaftojnë për jetesën.
Dëshira e vetme e Fionës është të shohë nënën e saj, vetëm 51-vjeçe, të çlirohet nga dhimbja, të buzëqeshë dhe të gëzohet me mbesat që po rriten. Ajo është vajza e vetme e Lolës, dhe lidhja mes tyre është e pazëvendësueshme.
“Të shohësh nënën tënde duke luftuar çdo ditë me dhimbjen, ndërsa përpiqet të buzëqeshë vetëm për të mos na lënduar, është një plagë e madhe në shpirt. Mami im meriton jetë, meriton të përqafojë nipërit e mbesat, meriton të shohë fëmijët e saj të rriten. Ju lutem, unë nuk po mendoj më për veten time, as për fëmijët e mi. Dua vetëm një gjë, një shpresë për mamin tim!”