Rreth 185 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në zonën e Porto Romanos vijojnë prej tre ditësh bojkotin e procesit mësimor, për shkak të mungesës së transportit të organizuar. Ky shërbim, i cili vitin e kaluar u ofrua me tre autobusë të dedikuar, është ndërprerë këtë vit për arsye të mosshlyerjes së pagesave nga institucionet publike ndaj kompanisë kontraktuese.
Shkolla ndodhet aktualisht në rikonstruksion, dhe mësimi është zhvendosur përkohësisht në shkollën “Neim Babameto” në Spitallë, rreth 6 km larg Porto Romanos. Autoritetet arsimore u kanë kërkuar prindërve që fëmijët të përdorin transportin urban për të shkuar në shkollë, por kjo është refuzuar nga komuniteti.
“Kam dy fëmijë të vegjël. Si mund t’i nis vetëm me urban? Askush nuk i pret në stacion, unë jam në punë. Fëmijët kanë mbetur në shtëpi,” – u shpreh një nënë në protestën e organizuar këtë të mërkurë para godinës së shkollës.
Prindërit kërkojnë rivendosjen urgjente të shërbimit të transportit të organizuar, duke theksuar se alternativa e urbanit është e pasigurt dhe e papërshtatshme, sidomos për nxënësit e ciklit fillor.
“Ne nuk e përballojmë dot çdo ditë pagesën e biletave. Kemi tre fëmijë në shkollë. Nëse nuk reagojnë, do bllokojmë rrugën dhe do i mbajmë fëmijët në shtëpi,” – paralajmëroi një tjetër prind.
Përmes një denoncimi të bërë publikisht, nxënës dhe prindër akuzojnë institucionet për neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie, ndërsa shprehen të zhgënjyer nga mungesa e transparencës dhe zgjidhjeve.
“Ne nuk kemi kërkuar shkollë të re. Ishim më mirë siç ishim, sesa tani që jemi pa shkollë fare. Për 3 ditë nuk kemi shkuar në mësim. Nuk është faji ynë, por shteti nuk na dëgjon,” – shkruan një nxënës në një mesazh denoncues.
Po ashtu, prindërit theksojnë se abonimet për transportin urban janë kthyer në një barrë financiare shtesë për shumë familje, të cilat e kanë zgjedhur arsimin publik pikërisht për arsye ekonomike.
Rikonstruksioni i godinës së shkollës “Met Hasa” pritet të përfundojë në janar 2026, çka do të thotë se nxënësit do të detyrohen të ndjekin mësimin në distancë për një periudhë të gjatë. Prindërit kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për të garantuar akses të barabartë dhe të sigurt në arsim, ndërkohë që Zyra Vendore Arsimore në Durrës ende nuk ka dhënë një plan konkret për adresimin e situatës.
Denoncimi 1:
"Pershendetje! Doja tju shkruaja sepse kemi hasur ne nje problem shumë të madh per shkollen e cila ndodhet në Durres ne Porto-Romano dhe i eshte nenshtruar rikonstruksionit. Prej 3 ditesh nxenesit nuk kanë shkuar në shkolla sepse transporti eshte nderprere. Dhe te gjithe nxenesit kane mbetur ne rrugë duke pritur te nisin mesimin. Morem informacione se femijet do te shkojne ne shkollen Neim-Babameto me autobuset e linjes se Durresit. Shteti nuk i ka paguar linjen e autobusave te cilet e moren persiper te paret domethen shteti po i vjedh parate , femijet po mbesin ne rrugë dhe pa shkollë . Ky eshte nje problem shumë i madh . Ne nuk kemi dashur shkolle te re sepse duke marre parasysh te gjitha gjerat shteti nuk funksionon fare ne kete vend. Akoma nuk jane zgjidhur keto probleme , dhe femijet duhet te shkojne me autobus linje ,nuk eshte ndonje problem i madhe per ciklin e lartë por femijet te cilet jan ne ciklin e ulet eshte shume e veshtir. Ju faleminderit! Dhe femijet duhet te kene abone qe i paguajne prinderit sepse prinderit kane zgjedhur shkollen shteterore per me te mire dhe per ate pune mund ti cojne ne privat per te paguar . Nuk eshte faji jone qe te mbesim pa shkolle. Kemi 3 dit qe nuk po shkojme ne shkoll dhe akoma nuk eshte zgjidhur asgje. Dhe mesuesit nuk interesohen fare se cfare po behet dhe ne krye drejtori i shkolles"
Denoncimi 2:
"Përshendetje J.O.Q jemi ne Porto romano Durrës lagjja 15. Shkolla Met Hasa esht prishur nje vit me par dhe po e bejn te re nga fillimi,tani problemi esht tek transporti per te quar femijet me shkoll,vitin qe kaloj ka funksjonuar shum mire vinin autobuzat dhe i mernin femijet ktu dhe i sjellnin ktu,tani qeveria ja u ka heq transportin dhe i ka detyruar qe femijet te ikin me leket e tyre ne shkoll,kemi 3 dite ne protest dhe 3 dit femijet nuk kan ikur ne shkoll,ju drejtova ju si faqe se jeni faqja me korrekte dhe me e sakta,femijet nuk ikin ne shkoll deri sa te vendoset drejtsi ashtu siq femijet e meritojne."