Anglia ‘tërbon’ huliganët serb, përleshje e dhunshme mes tifozëve dhe mbështetësve të Vuçiç pas ndeshjes

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.09.2025, 11:55

Për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, Serbia pësoi një disfatë të thellë në shtëpi, duke u mundur 0-5 nga Anglia në stadiumin “Rajko Mitic”. Një mbrëmje e errët për futbollin serb, që u shoqërua me tensione para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Qyteti i Beogradit u përfshi në skena dhune që pak kishin të bënin me sportin. Para nisjes së duelit, rreth 20 huliganë të të dy kampeve u përleshën në rrugë, duke lënë disa të lënduar, fatmirësisht pa rrezik për jetën. Por momentet më të forta u regjistruan në fund të sfidës, kur brenda stadiumit shpërtheu një tjetër përplasje.

Mbështetës të presidentit Vuçiç u zunë me grupe tifozësh që kishin nisur të këndonin kundër tij. Policia u detyrua të ndërhynte për të qetësuar situatën, duke reflektuar klimën e ndezur politike që ka përfshirë Serbinë muajt e fundit, me protesta masive kundër pushtetit aktual. Rebelimi u zhvendos kështu edhe në shkallët e stadiumit.

Nga ana sportive, Anglia u tregua e pamëshirshme: Kane, Madueke, Konsa, Guehi dhe Rashford ishin autorët e pesë golave që e fundosën Serbinë.

Në të njëjtin grup ndodhet edhe Shqipëria, e cila më 11 tetor do të zbresë në fushë pikërisht kundër Serbisë në Beograd. Pas ngjarjeve të fundit, pritet që UEFA dhe FIFA të shqyrtojnë masa të reja për sjelljet e pahijshme të tifozëve serbë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit