Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Washington, D.C., ku protestues pro-palestinezë hynë brenda restorantit ku po darkonte Presidenti Donald Trump dhe i ndërprenë darkën me thirrje dhe slogane kundër tij.
Incidenti ndodhi në restorantin Joe’s Seafood, Prime Steak & Stone Crab, pranë Shtëpisë së Bardhë, ku Trump po darkonte me zyrtarë të lartë të administratës, mes tyre Zëvendëspresidentin J.D. Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Ministrin e Mbrojtjes Pete Hegseth.
Protestueset, pjesë e grupit aktivist Code Pink, kishin siguruar një rezervim në restorant dhe arritën të ulen pranë tavolinës së Presidentit. Në një moment të caktuar, ato u ngritën dhe nisën të brohorisnin “Free Palestine!”, “Free D.C.!” dhe “Trump is the Hitler of our time!”, duke ngritur edhe flamuj palestinezë.
Situata shkaktoi tension, ndërsa agjentët e Secret Service ndërhynë menjëherë dhe i nxorën protestueset jashtë lokalit. Ngjarja u filmua nga klientët e tjerë dhe pamjet qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare.
Presidenti Trump nuk reagoi drejtpërdrejt ndaj protestës, por burime pranë tij thanë se ai e konsideroi incidentin si “një provë të vendosmërisë së tij për të forcuar sigurinë në kryeqytet”.
Ky episod vjen në një kohë kur politika e jashtme e SHBA, veçanërisht mbështetja ndaj Izraelit, ka ngjallur protesta të shumta pro-palestineze brenda dhe jashtë vendit.