Me urdhër të SPAK, është lëshuar masa e sigurisë "arrest në shtëpi" për avokatin Besart Logu, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Logu dyshohet se i ka marrë 8 mijë euro një klienti në këmbim të ndikimit për zgjidhjen e një çështjeje gjyqësore.
Operacioni i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme është ende në zhvillim dhe oficerë të BKH-së po kryejnë kontrolle në terren, përfshirë edhe në zyrën e avokatit. Deri tani nuk është bërë publik informacioni se për cilën çështje konkretisht është premtuar ndikimi i pretenduar.
Besart Logu ka ushtruar profesionin e avokatit përmes studios ligjore që mban emrin e tij, ndërsa është i njohur edhe për përfshirjen në politikë si ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe për paraqitjet e shpeshta në media.