Policia belge ka publikuar për herë të parë pamje të autorit të dyshuar të vrasjes së Agustin Kazës, shqiptarit 44 vjeçar, i cili u qëllua për vdekje më 28 prill 2024 në lagjen Schaerbeek të Brukselit.
Ngjarja ndodhi në tarracën e një kafeneje, ku viktima ndodhej i ulur kur një person i maskuar iu afrua dhe e qëlloi me armë zjarri në gjoks dhe kokë. Kaza ndërroi jetë më 6 maj 2024, në spital. Mediat belge raportojnë se bëhet fjalë për një larje hesapesh, ndërsa autoritetet nuk e përjashtojnë pistën e hakmarrjes.
Zyra e Prokurorit Publik të Brukselit ka lëshuar tashmë tre njoftime kërkimi për tre persona të ndryshëm, që dyshohet se janë përfshirë në atentatin ndaj Kazës. I fundit u bë publik këtë javë, ku policia kërkon ndihmë për identifikimin e një burri me trup të shëndoshë, të veshur me xhins gri, bluzë me kapuç dhe kapelë të zezë. Roli i tij në vrasje nuk është bërë ende publik.
Pamjet filmike tregojnë se personi i parë i kërkuar mbante një kostum të errët me vija të kuqe në shpatulla, një logo të bardhë në gjoks, si dhe kapelë e kapuç. Ai gjithashtu çalonte dhe u largua në drejtim të Rue Ernest Laude. I dyshuari i dytë, për të cilin u lëshua një njoftim në dhjetor, përshkruhet si 1.80 m i gjatë, me fytyrë të dobët, mustaqe dhe flokë të errëta.
Policia belge u bën thirrje qytetarëve që kanë informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarve, të kontaktojnë në adresën [email protected] ose në numrin 0800.30.300 (pa pagesë).
Agustin Kaza, viktima e atentatit, është vëllai i Martin Kazës, i dënuar në Shqipëri me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dodë dhe Agustin Gjini më 3 korrik 1997 në Laç. Ngjarja e asaj kohe kishte ndodhur si hakmarrje për vrasjen e Ndue Kazës, shef i krimeve në Rrëshen, i cili u vra në janar 1994 nga Dod Gjini.
Martin Kaza u arrestua dhe ekstradua nga Britania në Shqipëri në vitin 2017, ndërsa pista e vrasjes së Agustin Kazës në Belgjikë shihet si një vijim i konfliktit të hapur mes dy familjeve shqiptare me histori gjakmarrjeje.
Hetimet e autoriteteve belge vazhdojnë, ndërsa kërkimi për autorët mbetet aktiv.