8 ton domate me pesticide, inspektorët e AKU manipuluan faktet dhe s’morën masa

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.09.2025, 10:30

Dy inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe administratori i kompanisë “Era Fruit” janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, pasi lejuan eksportin drejt Kroacisë të 8 tonë domateve të ndotura me pesticide mbi normat e lejuara.

Autoritetet kroate, pas analizave laboratorike, konstatuan se domatet e eksportuara nga subjekti “Era Fruit” përmbanin nivel të lartë të preparatit të ndaluar Chlorfenapyr, me vlerë 0.06 mg/kg, ndërkohë që limiti i lejuar është 0.01 mg/kg. Ngarkesa u asgjësua menjëherë nga autoritetet për shkak të rrezikshmërisë për shëndetin e konsumatorëve.

Në pranga përfunduan: Mariglen Qorri, administrator i kompanisë “Era Fruit”, i akuzuar për: Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve, Mashtrim me produktet ushqimore, Falsifikim dokumentesh; Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, inspektorë të AKU-së Berat, të akuzuar për: Shpërdorim detyre.

Sipas hetimeve të Prokurorisë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiar dhe Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit, rezultoi se Mariglen Qorri kishte përdorur një faturë fiktive blerjeje nga një fermer, për të mbuluar origjinën reale të produktit dhe për të shmangur përgjegjësinë ligjore gjatë procedurave doganore dhe të gjurmueshmërisë pranë AKU.

Ndërkohë, dy inspektorët e AKU-së, pas njoftimit nga sistemi i alarmimit të shpejtë RASFF, kryen një kontroll formal më datë 29.08.2025 në ambientet e “Era Fruit”, ku nuk evidentuan ngarkesën e domateve të rrezikshme, dhe nuk morën mostra për analiza. Ata gjithashtu kanë pranuar faturën fiktive si të rregullt, duke hartuar një raport të gjurmueshmërisë të manipuluar dhe duke tjetërsuar faktet për origjinën e produktit.

Gjatë kontrollit në ambientet e kompanisë, janë sekuestruar perime të tjera si domate, speca dhe kastraveca, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike, pasi dyshohet se mund të jenë të kontaminuara me përbërës të dëmshëm për shëndetin.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha hallkat e përfshira në këtë rast dhe për të garantuar sigurinë e produkteve shqiptare në tregun vendas dhe të huaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit