Ministria e Jashtme e Kosovës thirrje qytetarëve të saj: Shmangni udhëtimet drejt Serbisë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 10.09.2025, 13:18

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka bërë një apel për qytetarët që të mos udhëtojnë, në këtë periudhë, nëpër territorin e Serbisë. Kjo thirrje vjen pas konfirmimit të arrestimit të shtetasit të Kosovës, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet serbe më 8 shtator 2025, në pikën kufitare në Merdarë, gjatë hyrjes së tij në Serbi me automjet privat.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, MPJD i këshillon fuqishëm qytetarët e Republikës së Kosovës të shmangin çdo udhëtim që përfshin kalimin nëpër Serbi, për të mbrojtur sigurinë dhe mirëqenien e tyre,” thuhet në deklaratë.

Ministria gjithashtu shpreh shqetësim të thellë për sjelljen e autoriteteve serbe dhe thekson domosdoshmërinë e një reagimi të menjëhershëm nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj veprimeve shtypëse që janë në kundërshtim me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut.

Po ashtu, MPJD nënvizon se rritja e rasteve të ndalimeve dhe trajtimeve të pahijshme ndaj qytetarëve të Kosovës përbën shkelje të rëndë të frymës së dialogut dhe marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit