Prej më shumë se një viti, banorët e Babrru Kodrës në Bashkinë Kamëz po përballen me një situatë të rëndë dhe të rrezikshme për shëndetin. Kanalizimet e hapura dhe të bllokuara nga mbeturina dhe fekale kanë krijuar një mjedis të papërballueshëm për jetesë. Pamjet e mëposhtme tregojnë gjendjen reale në rrugët e lagjes një pusetë e mbushur me ujëra të ndotura dhe mbeturina, ku ujërat e zeza derdhen në sipërfaqe dhe përhapen në rrugë.
Banorët shprehen të dëshpëruar dhe të lënë pas dore nga autoritetet. “Ju lutem, na ndihmoni. Do ta postoni? Në Babrru Kodër kemi 1 vit, na mbytën ujërat e zeza në rrugë. Për Zotin, s’i bie kujt në mendje fare. Ju lutem, postojeni. S’po jetojmë dot në shtëpitë tona nga era”, thonë ata. Rreziku për sëmundje është i lartë, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët që kalojnë çdo ditë pranë këtyre zonave të ndotura.
Ata i bëjnë thirrje Bashkisë Kamëz me kryetar Rakip Sulin dhe Ujësjellës Kanalizimeve të reagojnë urgjentisht. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe riparimin e kanalizimeve.