Nepali është përfshirë nga një valë trazirash të dhunshme, ku mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të brezit “Gen Z”, kanë dalë në rrugë kundër ndalimit të rrjeteve sociale dhe korrupsionit të thellë të klasës politike.
Protestat, që nisën pas bllokimit të Facebook, X dhe YouTube, morën përmasa dramatike: të paktën 19 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga përplasjet me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe më pas armë zjarri për të shpërndarë turmat.
Turmat thyen kordonët e sigurisë dhe i vunë zjarrin Parlamentit, ndërsa shtëpitë e disa liderëve politikë, përfshirë edhe ato të kryeministrit dhe presidentit, u dogjën. Në kulmin e revoltës, ministrat dhe zyrtarët kryesorë u larguan me helikopterë nga Katmandu.
Një episod tragjik tronditi vendin: Rajyalaxmi Chitrakar, bashkëshortja e ish-kryeministrit Jhalanath Khanal, humbi jetën pasi protestuesit dogjën shtëpinë e tyre në zonën Dallu. Ajo u dërgua në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Pamje tronditëse treguan edhe ministrin e Financave, Bishnu Prasad Paudel, 65 vjeç, teksa ndiqej dhe rrihej brutalisht nga protestuesit në rrugët e kryeqytetit.
Në kushtet e presionit të madh, kryeministri K. P. Sharma Oli dha dorëheqjen, duke detyruar qeverinë të heqë ndalimin e rrjeteve sociale. Edhe ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, u largua pas kritikave për dhunën e policisë.
Situata mbetet e tensionuar, me orë policore dhe kufizime të reja të tubimeve, ndërsa aeroporti i Katmandusë është mbyllur dhe disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet.
Ekspertët e cilësojnë këtë si lëvizjen më të madhe protestuese të Nepalit në dekadat e fundit, një revoltë e gjeneratës së re jo vetëm për lirinë në internet, por edhe kundër korrupsionit, nepotizmit dhe pabarazive që kanë shoqëruar politikën në vend.