Gjatë ndeshjes Shqipëri–Letoni në “Air Albania”, policia ndërhyri duke shoqëruar një tifoz që mbante flamurin e UÇK-së. Pasi ia morën flamurin, ai u rikthye në vendin e tij, por pa flamur.
Pamjet janë bërë virale në rrjet dhe kanë shkaktuar reagime të shumta nga qytetarë dhe tifozë, të cilët janë shprehur kundër ndalimit të këtij flamuri në stadium, duke e cilësuar vendimin absurd, sidomos kur në Kombëtaren e Shqipërisë luajnë edhe shqiptarë nga Kosova.
Ndërkohë, në Beograd, ndeshja Serbi–Angli u shoqërua me një tjetër skandal: tifozët serbë shpalosën një banderolë provokuese, ku shfaqej harta e Kosovës e mbuluar me ngjyrat e flamurit serb. Federata e Kosovës pritet të paraqesë një ankesë zyrtare në UEFA për këtë akt.
Kujtojmë këtu që Shqipëria fitoi minimalisht 1-0 ndaj Letonisë, falë golit të Kristjan Asllanit me penallti në minutën e 25-të. Kuqezinjtë dominuan ndeshjen dhe ruajtën rezultatin deri në fund, duke u ngjitur në vendin e dytë të Grupit K, ndërsa Anglia shkatërroi 5-0 Serbinë në Beograd.