Kombëtarja shqiptare ka marrë një fitore tepër të rëndësishme në kualifikueset e Botërorit 2026, duke mposhtur minimalisht 1-0 Letoninë në “Air Albania”.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 25-të nga Kristjan Asllani, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Kuqezinjtë dominuan lojën dhe patën disa raste të pastra me Bajramin, Manajn dhe Gjimshitin, por nuk arritën të gjenin golin e dytë.
Në minutat e fundit, skuadra u pa disi 'e përgjumur', duke i lejuar miqtë të afrohen rrezikshëm drejt portës sonë. Megjithatë, falë ndërhyrjeve të Strakoshës dhe sakrificës së Manajt, rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të Grupit K, duke përfituar edhe nga rezultati i ndeshjes tjetër, ku Anglia shkatërroi 5-0 Serbinë në Beograd.
Takimi Serbi–Angli u shoqërua edhe me një episod skandaloz: tifozët serbë shpalosën një banderolë provokuese me hartën e Kosovës të mbuluar me ngjyrat e flamurit serb, një akt i përsëritur nga tifozeritë serbe në ndeshje ndërkombëtare.
Ndërkohë, incident nuk mungoi as në “Air Albania”, ku policia ndërhyri dhe largoi përsëri një flamur të UÇK-së nga tribuna.
Kuqezinjtë e mbyllin kështu ndeshjet e shtatorit në zonën “Play Off”, duke rritur shpresat për kualifikimin historik në Botëror.