Prej ditësh në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur mesazhe të panumërta nga qytetarët e Vlorës, të cilët ankohen se në rubinetat e tyre nuk ka asnjë pikë ujë. Por ndërsa vlonjatët mbeten të etur, kryebashkiaku Ermal Dredha ka gjetur një mënyrë “të veçantë” për t’ua shuar etjen: ka pozuar krenar me shallin e kuq të pionierëve komunistë në një event përkujtimor në Myzeqe.

Në rrjetet sociale, reagimet kanë qenë të shumta dhe kryesisht të revoltuara. Qytetarët theksojnë se ndërsa Vlora vuan prej ditësh pa ujë, kryebashkiaku del nëpër aktivitete me shallin komunist në qafë, sikur nostalgjia për të shkuarën të ishte prioriteti i ditës. Kontrasti mes rubinetave bosh dhe fotove festive me simbole të komunizmit është cilësuar si fyese për hallet e përditshme të banorëve.

Shumë prej tyre shohin te ky veprim një shkëputje totale nga realiteti: qyteti i lënë pa furnizim me ujë, ndërsa kryetari shfaqet i qeshur në ceremonira që nuk kanë lidhje as me qytetin e Vlorës e as me problemet jetike të qytetarëve. Për ta, ky është një shembull tipik se si pushteti lokal merret me “show” e simbole, ndërkohë që çështjet bazike, si furnizimi me ujë, mbeten të pazgjidhura.
![]()
Në këtë atmosferë të nxehtë, Vlora duket se nuk po “thahet” vetëm nga mungesa e ujit, por edhe nga mungesa e seriozitetit në drejtimin e saj.
Kështu, teksa gotat nëpër shtëpitë e Vlorës mbeten bosh, kryebashkiaku duket se ka vendosur t’i mbushë me simbolika komuniste. Uji i pijshëm mungon, por propaganda, si duket, rrjedh pa kufizim.
