Ilir Proda zgjohet nga gjumi, falenderon policinë por harron kalvarin e gjatë të ekzekutimeve pa autor

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.09.2025, 17:28

Ngjarja e rëndë e mëngjesit të djeshëm në Shkodër, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën, nuk e shqetësoi aq sa duhet Ilir Prodën për ta ngritur nga karrigia e ngrohtë të zbriste në terren e të merrte situatën realisht në dorë. Përkundrazi, ai u mjaftua me një deklaratë të gjatë, tipike për një “spektator të zemëruar”, ndërkohë që qyteti i Shkodrës është shndërruar në arenë të hapur për bandat kriminale.

Në vend që të shpjegonte pse në mes të ditës, pranë një shkolle dhe pranë Bashkisë ku kalon çdo ditëkryebashkiaku, bandat e Shkodrës lëvizin të armatosura e qëllojnë hapur, Proda zgjodhi të recitonte falënderime për policinë dhe fjalë ngushëllimi për familjarët. Ai e sheh policinë si “heroike”, por harron të pranojë se problemi nuk është tek efektivët në terren, por tek ai vetë dhe drejtimi i institucioneve që kanë kthyer Shkodrën në fushë ekzekutimesh mafioze.

Drejtori ”madhor” mburret se autori u kap “në kohë rekord”, por nuk thotë asnjë fjalë se pse qyteti është i braktisur prej vitesh në duart e bandave dhe pse përplasje me armë ndodhin pa ndërprerje, duke lënë qytetarët të jetojnë me frikën se një motor që afrohet mund të sjellë një tjetër breshëri plumbash.

Deklarata e tij përfundimtare, me thirrjen që “shkodranët të bashkëpunojnë me policinë”, ngjan më shumë me fjalim motivues në ndonjë sallë konference, sesa me një reagim serioz të një institucioni që ka për detyrë garantimin e jetës dhe sigurisë publike. Në këtë realitet të zymtë, Proda shfaqet më shumë si një “komentator i revoltuar” sesa si një drejtues i përgjegjshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit