Një denoncim shqetësues ka mbërritur ditën e sotme në redaksinë e JOQ Albania, lidhur me drejtorin e shkollës “Angela Merkel” në Kamëz.
Drejtor i kësaj shkolle është emëruar kryetari i Këshillit Bashkiak të Kamzës, Hysen Koldashi. Hyseni është një personazh i njohur për publikun, pasi në vitin 2020 u denoncua publikisht për shitjen në të zezë të materialeve të shkollës “Hillary Clinton” ku ai ka qenë drejtor asokohe.
Shkolla që ai drejtonte u dëmtua nga tërmeti fatal i 26 nëntorit 2019, dhe drejtori mori një iniciativë personale, për të shitur në mënyrë private çdo material të mundshëm që ishte në ndërtesë. Ai u shfaq me filmime teksa bënte pazare me qytetarët, duke i thënë njërit prej tyre: “Më jep 1 milion lekë në dorë dhe merr çfarë të duash!”
Të gjitha lekët përfunduan në xhepat e drejtorit. Qytetarët blenë nga materialet e shkollës pllaka mermeri, pllaka shtrimi, tjegulla e shumë materiale të tjera.
Pas zbulimit të këtij skandali, drejtor Hyseni u pezullua menjëherë nga detyra. Mirëpo duket se gjërat kanë ndryshuar, dhe pas vjedhjes së bujshme me shitjen në të zezë të materialeve të shkollës, Hyseni është rritur në detyrë.
Ai sot përveçse është kryetar i Këshillit Bashkiak në Kamëz, është dhe drejtor i shkollës “Angela Merkel”, duke i hapur kështu edhe një herë rrugë mundësisë të shfrytëzimit të postit për vjedhje.
Në vend që të ishte pas hekurave për abuzim me detyrën, 5 vite pas asaj ngjarje, drejtori jo vetëm që nuk është dënuar, por është rritur dhe në detyrë, duke marrë poste drejtuese si në aspektin politik, por edhe atë arsimor.
Denoncimi i qytetares:
“Përshëndetje! Doja t’ju dërgoja një lajm që ta publikont lidhur me shkollën “Angela Merkel” në Kamëz. Për fasadën e shkollës bënë shumë reklamë, gjasme me standarte evropiane, por thjeshtë neveritem kur shoh që popullit i hedhin hi syve.
Bëhet reklamë për fasada dhe nuk kujdesen për cilësinë e asaj shkolle. Drejtor i asaj shkolle është Hysen Koldashi, që është dhe kryetar i këshillit të PS-së në Kamëz. Atë e larguan nga arsimi disa vite më parë për vjedhje, pasi e kapën duke shitur materialet e shkollës ku punonte.
Sot është Kryetar Këshilli i PS-së në Kamëz dhe drejtor shkolle. Shkarko dhe vendos prap. Po i njëjti me detyra më të mëdha."