Viti i ri shkollor ka nisur me bojkot dhe protesta për rreth 185 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në zonën e Porto Romanos, të cilët nuk kanë mundur të ndjekin mësimin për shkak të mungesës së transportit të organizuar.
Shkolla ndodhet aktualisht në proces rikonstruksioni, dhe prej muajsh, mësimi është zhvendosur përkohësisht në shkollën “Neim Babameto” në Spitallë. Vitin e kaluar, transporti për nxënësit u sigurua me tre autobusë të dedikuar, por këtë vit shërbimi është ndërprerë, pasi kompania që e ofronte nuk është paguar nga institucionet përkatëse.
Zyra Vendore Arsimore (ZVA) e Durrësit ka njoftuar drejtuesit e shkollës se nuk do të vihet më në dispozicion transport i veçantë, duke i sugjeruar prindërve që fëmijët të përdorin linjën urbane Durrës–Porto Romano. Kjo alternativë është kundërshtuar ashpër nga komuniteti dhe prindërit, të cilët e konsiderojnë të pasigurt dhe të papërshtatshme, sidomos për fëmijët e ciklit të ulët.
“Kam dy fëmijë. Si mund ta dërgoj një fëmijë të klasës së parë vetëm me urban? S’ka kush e pret në Spitallë. Unë jam në punë. E kemi lënë fëmijën në shtëpi,” – shprehet një nënë e revoltuar.
Të shqetësuar për sigurinë dhe pamundësinë ekonomike për të përballuar shpenzimet e transportit publik, prindërit organizuan një protestë në mesditën e sotme, para godinës së shkollës “Met Hasa”. Ata kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të autobusëve të organizuar, siç ishte vitin e kaluar.
“Kemi tre fëmijë në shkollë, abone, kontribute, çdo ditë. S’na del. Nëse nuk reagohet, do bllokojmë rrugën dhe do ndalojmë fëmijët nga shkolla,” – paralajmëroi një tjetër prind gjatë protestës.
Mësuesi Pjetër Biba, i kësaj shkolle, konfirmon se kompania e vitit të kaluar ka pezulluar shërbimin për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare. Ai e cilëson situatën të papranueshme dhe të rrezikshme për nxënësit.
“Urbani është i pasigurt për të rriturit, jo më për fëmijët. Kjo çështje nuk duhej lënë për ditën e fundit,” – tha Biba.
Ndërsa rikonstruksioni i shkollës pritet të përfundojë në janar 2026, prindërit kërkojnë një zgjidhje të përkohshme dhe të sigurt, që t’u mundësojë fëmijëve vazhdimin normal të procesit mësimor.