Nëna e Edisonit apel shqiptarëve: Më mundësoni që djali të ecë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 09.09.2025, 17:19

Ndihmoni Edisonin nga linku GoFundME!

Miranda, mami i Edisonit të vogël 11-vjeçar i cili nuk mund të ecë, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të bërë një thirrje publike për ndihmë.

Ajo ka vetëm një dëshirë në jetë, ta shohë djalin e saj që të ecë të paktën tre hapa.

Historia e Edisonit nis që në lindje! Ai lindi me paralizë cerebrale dhe mungesë oksigjeni. Edhe pse sot është 11 vjeç, djaloshi i vogël nuk ka ecur kurrë. Megjithatë, ëndrrat e tij për jetën janë po aq të mëdha sa zemra e tij e pastër.

Prindërit e Edisonit kanë bërë të pamundur që ta shohin djalin e tyre në këmbë. Ata kanë shpenzuar çdo kursim, duke kaluar nëpër operacione e seanca të panumërta fizioterapie, por rruga është e gjatë dhe e mundimshme. Miranda nuk ka mundur të punojë, sepse është ditë e natë pranë djalit të saj, ndërsa i vetmi që siguron të ardhura është bashkëshorti.

Mjekët kanë dhënë shpresë se me vazhdimin e fizioterapive Edisoni do të ngrihet një ditë në këmbë, por ky kurim kushton. Kushton aq sa familja e djaloshit nuk ka më mundësi ta përballojë.

Prandaj, Miranda i drejtohet me një lutje të thjeshtë: ndihmojeni që të shohë djalin e saj të ecë. Të shohë një ditë mrekullinë që çdo nënë ëndërron, fëmijën e saj të bëjë hapat e parë drejt jetës.

Pjesë nga fjala e nënës:

“Edisoni ka marrë paralizë cerebrale që në lindje sepse kishte mungesë oksigjeni. Unë kam 11 vite që luftoj që Edisonin të shikoj në këmbë. Ai kurrë nuk ka ecur kurrë në jetën e tij. Unë nuk punoj dot sepse ai ka nevojë për ndihmën time në çdo moment. Unë deri tani kam luftuar shumë për Edisonin dhe do luftoj të gjithë jetën. Unë kam vetëm një ëndërr: Dua ta shikoj vetëm të ecë, sikur tre hapa të bëjë. Edisoni ka shpresë që të ngrihet përsëri në këmbë, por ka nevojë për shumë fizioterapi. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të kontribuojnë sa mund për Edisonin, që edhe unë si nënë ta shikoj njëherë në këmbë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit