Thatësira e zgjatur gjatë vitit 2025 ka detyruar Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) të importojë energji elektrike në vlerën e 160 milionë eurove, një shifër që përfaqëson një rritje me 100 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë gjithashtu se konsumi i energjisë gjatë verës është rritur ndjeshëm, duke e rënduar më tej nevojën për importe të shtrenjta. Por teksa shteti shpenzon qindra milionë për energji nga jashtë, dy gjeneratorët lundrues “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të marrë me qira në vitin 2022 nga qeveria shqiptare, kanë mbetur thuajse të fikur në Gjirin e Vlorës.
Kontrata prej 94 mijë dollarë në ditë, e firmosur nga KESH me ndërmjetësimin e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, synonte të zbusë krizën energjetike, por rezultoi një barrë financiare pa asnjë kontribut real në rrjetin energjetik të vendit.
Ironia e situatës qëndron në faktin se, ndërsa gjeneratorët që duhej të prodhonin energji qëndrojnë të heshtur, pagesat për ta vijojnë rregullisht nga buxheti i shtetit. Madje, në bilancet e publikuara, operatorët që menaxhojnë "Tigrat" deklarojnë fitime të konsiderueshme, pa prodhuar asnjë megavat.
Ambientalistët flasin për tym të zi që del herë pas here, vetëm për të justifikuar pagesat, ndërsa sipas kritikëve, kjo është një aferë që i ka kushtuar shumë më tepër qytetarëve shqiptarë sesa vetë mungesa e reshjeve.
![]()