Pas publikimit të lajmit ku një qytetare denonconte për JOQ Albania mungesën e organizimit, vonesat e përsëritura dhe sjelljen e papërgjegjshme të gjinekologes Amarda Pihoni në Qendrën Shëndetësore nr. 4, pas Dispanserisë në Tiranë, në redaksinë tonë kanë mbërritur dhjetëra denoncime të tjera nga gra dhe vajza që kanë pasur të njëjtën eksperiencë shqetësuese me këtë mjeke.
Qytetaret flasin për një situatë të përsëritur prej vitesh, ku mjekja vonohet në mënyrë sistematike, nuk respekton oraret, lejon pritje të gjata, zhvillon biseda personale me pacientet në dhomë duke injoruar të tjerat që presin jashtë, dhe në disa raste nuk paraqitet fare në punë.
Të tjera gra tregojnë se kanë qëndruar me orë të tëra në korridor pa u vizituar, janë detyruar të ndërronin qendrën shëndetësore në momentet kritike të shtatzënisë për të mos humbur dokumentacionin për leje lindjeje, dhe janë trajtuar me arrogancë dhe mungesë respekti.
Denoncimet shkojnë deri në akuza të rënda për neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në një sektor jetik siç është obstetrika dhe gjinekologjia, ku shumica dërrmuese e pacienteve janë shtatzëna. Qytetaret kërkojnë marrjen e menjëhershme të masave nga institucionet përkatëse, ndërsa shprehen të indinjuara që një gjinekologe me sjellje të tillë vijon ende të mbajë detyrën publike pa asnjë pasojë, pavarësisht shqetësimeve të përsëritura ndër vite.
Denoncimi 1
“Kjo ka të paktën mbi 5 vite që këtë metodë ka edhe askush nuk merr masa,” thotë një qytetare.
Denoncimi 2
“Uuuuu, këtu është tmerrrrr, 1 javë rresht dhe nuk vinte kjo doktoresha, as nuk ja pashë fytyrën. Sa herë vija, s’ishte. Shyqyr që e ndryshova,” shkruan një tjetër qytetare.
Denoncimi 3
“Është shumë e vërtetë ç’ka ka shkruajtur kjo vajzë. Kam ndjekur 2 shtatzëni me këtë mjeke dhe më zinte tmerri kur kisha ditën për të vajtur te ajo, se mund të prisje edhe deri në 4 orë për të hyrë. Rri, bën muhabet, merret me telefonin ndërkohë që ka paciente brenda dhe të tjera që presin jashtë, ku shumica janë shtatzëna. E pabesueshme se si një mjeke FEMËR trajton ashtu paciente SHTATZËNA,” thotë një grua tjetër.
Denoncimi 4
“Shumë e vërtetë, veç te kjo ka radhë. Te qendra shëndetësore gjithmonë janë 20 veta vetëm për te kjo,” thotë një tjetër.
Denoncimi 5
“Shumë e vërtetë. Për fajin e kësaj palo gjinekologe do më digjej leja e paralindjes. Linte orar, nuk vinte kurrë, dhe një ditë që ishte, s’më erdhi kurrë radha. Sa herë shkoja, gjeja asistenten, e cila nuk të zgjidhte punë sepse janë procedura që duhen kryer nga vetë mjekja. U detyrova të ndërroja shëndetësinë që të procedoja me letrat, edhe pse isha shumë vonë. Uroj të bëhet diçka dhe të hiqet nga puna urgjent,” shprehet një vajzë tjetër.
Denoncimi 6
“Kjo është ekstrem, i lë njerëzit me orë duke pritur. Bën muhabet 1 orë me pacientin, duke folur për veten sa e zonja është bla bla. Askush nuk ka nge të bëjë muhabet me të. Njerëzit duan të mbarojnë punë,” thotë një tjetër.
Denoncimi 7
“Mostër, e urrej,” shkruan një grua tjetër.
Denoncimi 8
“Akoma vazhdon të qëndrojë në punë një doktoreshë si kjo?! Edhe para 8 viteve, radhë-radhë në korridor dhe kjo brenda bënte muhabet rrobash dhe fustanesh. Shuuuuume arrogante, më negative se kjo s’më kanë zënë sytë. Në vend që të sillet mirë me femrat shtatzëna dhe t’i qartësojë nëse kanë paqartësi, po ua ngre tensionin me mënyrën si flet,” thotë një tjetër.
Denoncimi 9
"Shumë e vërtetë. Dhe kur të bie rradha pas 6-7 orësh pritje, rri në telefon, bën muhabet, nuk kryen vizitën siç duhet. Ju lutem të merren masa ose të shtohet edhe një gjinekologe, ose të hiqet kjo, se të merr frika të mbetesh shtatzënë kur mendon orët e gjata në pritje, që ka raste nuk marrim shërbim se i teket doktoreshës të ikë para orarit", shkruan dikush tjetër.