Teksa Shkodra është tronditur nga përplasja mes bandave që la dy të vrarë dhe dy të plagosur, policia e Tiranës ka arrestuar Jaser Shabën, 25 vjeç, një shkodran i shpallur në kërkim që nga janari 2024 për prodhim dhe mbajtje të armëve shpërthyese. Ai u kap në zonën e Selitës, në kryeqytet, së bashku me Gert Haxhijën, 28 vjeç, që e ndihmonte të fshihej. Gjatë operacionit, policia sekuestroi një automjet dhe tre celularë.
Jaser Shaba konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ishte në kërkim në kuadër të operacionit "Brothers", pasi dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, tashmë i arrestuar, posedonte dy mina të telekomanduara që do të përdoreshin për atentate kriminale në Shkodër. Ai akuzohet si “truri teknologjik” që ndërtonte pajisje shpërthyese artizanale në disa punishte me qira në Tiranë, të siguruara nga vëllai i tij, Jesari Shaba, 21 vjeç.
Të dy vëllezërit janë nipat e Altin Shabajt, ish-kreu i njësisë Administrative Postribë, ndërsa hetuesit dyshojnë se mina të prodhuara prej tyre janë porositur nga grupe rivale në veriun e vendit për larje hesapesh. Arrestimi i Jaser Shabës vjen në një moment të tensionuar në Shkodër, ku krimi i organizuar ka rikthyer frikën në rrugë.