Shënjestrat shpëtuan, ‘hijet’ e masakrës së Dobraçit pas atentatit në Shkodër

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.09.2025, 13:35

Shkodra vijon të përmbytet nga plumbat dhe krimi i organizuar. Brenda më pak se një viti, qyteti është tronditur nga dy prej masakrave më famëkeqe të viteve të fundit : ajo e 30 tetorit 2024 në Dobraç, ku mbetën të vrarë katër persona, dhe ajo e 8 shtatorit 2025 në qendër të qytetit, me dy viktima të tjera.

Masakra e Dobraçit

Në ngjarjen e tetorit 2024, shënjestra kryesore dyshohej se ishte i shumëkërkuari Ibrahim Lici, armiku i betuar i grupit të Bajrave. Ai i shpëtoi breshërisë së plumbave, por viktimë mbeti vëllai i tij Hamza Lici, miku Arlind Bushati, si dhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha, të pafajshëm që u gjendën në vendin e gabuar. Pamjet e publikuara pas ngjarjes shfaqnin imazhin e “fantazmës” pranë trupit të pajetë të vëllait, por prania e tij nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht nga policia.

Masakra e 8 shtatorit

Në atentatin e fundit, shënjestra dyshohet se ishte Erogen Vaso alias Brajoviç, i afërt me Bajrat dhe rival i Licëve. Edhe ai i shpëtoi plumbave, por nuk patën të njëjtin fat dy miqtë e tij: Armando Pali dhe Liridon Kraja, të cilët mbetën të vdekur. Në mes të breshërisë u plagos edhe një kameriere, një qytetare e pafajshme që punonte për të siguruar jetesën.

Skema që i bashkon

Edhe pse të ndara në kohë dhe hapësirë, dy masakrat ndjekin të njëjtin model makabër:

  • shënjestrat kryesore shpëtojnë,
  • plumbat bien mbi shoqëruesit,
  • të pafajshmit nuk kursehen,
  • dhe qyteti mbetet i tmerruar.

Në rastin e parë, dyshimet shkojnë drejt Bajrave; në të dytin, pista më e fortë është hakmarrja e Licëve. Çfarë nuk ka ende është përgjigjja e policisë dhe zbardhja e plotë e këtyre dosjeve të përgjakshme, ndërsa Shkodra kthehet gjithnjë e më shumë në një arenë të hapur të bandave rivale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit