Inflacioni për muajin gusht 2025 ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me korrikun, muaj në të cilin u regjistrua norma më e lartë e vitit. Megjithatë, efektet e turizmit veror dhe kërkesa e lartë gjatë sezonit kanë vazhduar të mbajnë presion mbi çmimet në disa sektorë kyç.
Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) në gusht arriti në 119.5, duke reflektuar një rritje vjetore prej 2.3%. Kjo rritje është nxitur kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili mbulon më shumë se gjysmën e ndryshimit total. Brenda këtij grupi, çmimet e vajrave dhe yndyrnave u rritën me 6.5%, të produkteve të qumështit me 3.6% dhe mishit me 3.2%.
Kontribut të ndjeshëm në inflacion ka dhënë edhe grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me një rritje vjetore prej 3.1%, e nxitur nga çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe kostot e operimit.
Sektorët e lidhur me turizmin vijuan të ndikojnë ndjeshëm çmimet. Krahasuar me gushtin 2024, çmimet e “Hoteleve, kafeneve dhe restoranteve” janë rritur me 2.2%, ndërsa “Argëtimi dhe kultura” kanë pësuar një rritje prej 6.3%, për shkak të shpenzimeve të larta gjatë sezonit veror dhe rritjes së kostove për aktivitetet rekreative.
Ndërkohë, grupe si “Mobilje dhe pajisje shtëpiake”, “Pije alkoolike dhe duhan”, si dhe “Transporti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar më lehtë në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Rënia e lehtë e inflacionit në gusht sinjalizon një tendencë stabilizimi pas muajve të nxehtë të verës, por presionet mbi çmimet mbeten të pranishme, sidomos në sektorët bazë si ushqimi, energjia dhe shërbimet turistike.