Një kompani bioteknologjike nga Kembrixhi, në bashkëpunim me mjekë të Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts, ka marrë miratimin zyrtar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të nisur provën e parë klinike në SHBA për transplantimin e veshkave të derrave të modifikuara gjenetikisht te pacientët me sëmundje të veshkave në fazën e fundit.
Kjo përpjekje, që synon të zgjidhë mungesën kritike të organeve në vend, vjen pas rasteve premtuese si ai i Tim Andrews, i cili që nga janari jeton pa dializë falë një veshke derri, dhe Bill Stewart, 54 vjeç, që u bë pacienti i tretë që iu nënshtrua këtij transplanti dhe u lirua një javë më vonë, për herë të parë pa pasur nevojë për dializë pas dy vitesh.
Organet janë zhvilluar nga kompania eGenesis, me modelin e veshkës EGEN-2784, e modifikuar gjenetikisht për të reduktuar refuzimin nga trupi i njeriut. Shkencëtarët po modifikojnë gjenetikisht derrat për të bërë organet e tyre më të pranueshme për trupin e njeriut dhe për të ulur rrezikun e refuzimit imunitar.
Prova klinike përfshin mbi 30 pacientë mbi moshën 50 vjeç që janë në dializë dhe në listën e pritjes për transplant, dhe do të shtrihet në disa qendra në të gjithë SHBA-në. Ky zhvillim shënon një hap të madh drejt një epoke të re në mjekësi, megjithëse ekspertët theksojnë se përdorimi i gjerë i këtyre organeve është ende disa vite larg.