Një qytetare ka denoncuar për JOQ vonesat e përsëritura dhe mungesën e organizimit në shërbimin obstetër-gjinekologjik në Qendrën Shëndetësore nr. 4, pas Dispanserisë në Tiranë. Sipas saj, gjinekologia Amarda Pihoni shpesh vjen me vonesë në punë dhe nuk respekton oraret e caktuara për vizitat, duke bërë që pacientët të presin për orë të tëra.
Ajo tregon se kishte orarin në 08:30, por në orën 10:20 ende nuk ishte futur për vizitë, ndërkohë që në atë hark kohor ishin pranuar vetëm dy paciente. Qytetarja thekson se kjo situatë po dëmton rëndë pacientet, shumica gra shtatzëna, që nuk mund të marrin leje nga puna sa herë mjekja nuk i përmbush vizitat. Ajo shton se arroganca në komunikim dhe mungesa e përgjegjshmërisë i shtojnë edhe më tepër vështirësitë.
“Përshëndetje! Si jeni? Ndjesë për bezdisjen! Po ju shkruaj për një problem që ka vite që po vazhdon. Te qendra e ambulatorit nr. 4, pas Dispancerisë, obstetër-gjinekologia Amarda Pihoni është bërë problem i vazhdueshëm për radhën e gjatë të pritjes. Këtu “funksionon me orare”, por doktoresha nuk i respekton. Unë orarin e kisha në 08:30 dhe është ora 10:00 dhe akoma s’jam futur. Që në orën 08:50 vetëm dy veta janë futur dhe akoma nuk kanë dalë. Të gjithë kanë ankesa. Thonë që kështu është gjithmonë këtu. Jemi rreth 15 veta që presim. Shkova dhe në kryeinfermier për ankesë, dhe në kryeinfermieri më thanë që janë bërë vazhdimisht ankesa, por ajo ashtu vazhdon, këtë metodë pune ka, mu përgjigjën, s’kemi ç ‘bëjmë. U thashë, ku mund të ankohemi pra, përderisa ju nuk e keni zgjidhur si drejtori? “Vetëm këtu,” tha. Tani, kur doktoresha nuk arrin t’i mbyllë oraret, u thotë: ejani nesër, dhe përsëri kështu vazhdon kalvari i pritjes. Jemi në punë, dhe s’mund të marrim leje kur duam, llogarisim dhe faktin që vjen gjithmonë me vonesë… Jemi të gjitha me barkun te goja, dhe një vërejtje po t’ia bëjmë doktoreshës, përgjigjet në mënyrë arrogante. Tani, përderisa ankesa në kryeinfermieri nuk pi ujë, s’e di ku mund të ankohemi, se duhet t’i jepet zgjidhje kësaj pune. Duhej të isha futur në orën 08:30 dhe tani është 10:20. Tani ka ardhur nga leja, dhe nesër merr leje përsëri. Në orën 12:00 shkon në komision dhe të gjitha kthehen edhe një herë mbrapsht”, shkruan qytetarja për JOQ.