Masakra e 8 shtatorit në Shkodër, me dy të vrarë dhe dy të plagosur, ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e Ragip Gilës. 28-vjeçari, i cili vetëm pak muaj më parë u lirua nga paraburgimi me vendim gjykate, është arrestuar si autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë.
Në mars 2025, Gjykata e Shkodrës e dënoi Gilën me 5 vite burg për drogë, por përmes gjykimit të shkurtuar dhe vendimit të gjyqtarit Albert Keraj, dënimi iu ul e më pas u pezullua, duke i hapur rrugë lirisë. Ky ishte një kthim i shpejtë për dikë që vetëm pak muaj më parë ishte kapur me drogë, armë dhe jelekë antiplumb.
Dyshimet tregojnë se Ragip Gila vepronte por për llogari të Lulëzim Kullës një ndër emrat më famëkeq në Shkodër, dhëndër i fisit Lici, i cili i shpëtoi atentatit me tritol në Rus të Shkodrës në vitin 2018. Lidhja e dyshuar mes Gilës dhe Kullës forcon pistën se ngjarja e fundit është pjesë e përplasjeve mes grupeve rivale.
Nga ana tjetër, gjatë kontrolleve në banesën e hallës së të shumëkërkuarit Ibrahim Lici janë gjetur 4 armë zjarri, që po i nënshtrohen ekspertizës për të parë se kujt i përkasin.
Ndërkohë, sipas gazetares Klodiana Lala, shënjestra e atentatit, Erogen Brajoviç, ka qëndruar në lokal deri në momentin që autori është larguar, ku ky i fundit ka menduar se ka vdekur. Në dëshminë e tij, Gila ka thënë se synimi ishte ta qëllonte atë në kokë.
Megjithëse sipas gazetares Klodiana Lala fisi Lici ka mohuar çdo përfshirje duke deklaruar: “Kjo nuk është pushka jonë, se të ishte, nuk do kishte përfunduar kështu”, Shkodra është sërish arenë e hapur e grupeve kriminale, ku drejtësia e dobët dhe vendimet e diskutueshme të gjykatave vazhdojnë të sjellin pasoja për qytetin.
Falë kësaj arene, sot qytetarët e Shkodrës kanë frikë të dalin në mbrëmje, dhe ndjenja frikës mbizotëron kur ndonjë motor afrohet.