Nepali është përfshirë nga trazira të dhunshme që prej ditës së djeshme, pasi mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të brezit “Gen Z”, kanë dalë në rrugë duke protestuar kundër ndalimit të mediave sociale dhe korrupsionit në vend.
Sipas mediave ndërkombëtare, bilanci i përleshjeve është tragjik: 19 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi policia ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe më pas armë zjarri për të shpërndarë turmën.
Protestuesit kanë thyer kordonët e sigurisë dhe kanë hyrë në ndërtesën e Parlamentit, të cilës i vunë zjarrin. Po ashtu, u raportua se janë djegur edhe shtëpitë e disa zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin dhe presidentin e vendit.
Në kulmin e revoltës, kryeministri K. P. Sharma Oli dha dorëheqjen, ndërsa qeveria u detyrua të heqë ndalimin ndaj 26 platformave sociale, përfshirë Facebook, X dhe YouTube. Po ashtu, edhe ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, paraqiti dorëheqjen pas kritikave për dhunën e përdorur nga forcat e rendit.
Autoritetet kanë vendosur orë policore dhe ndalim të tubimeve publike, por situata mbetet ende e tensionuar.
Ekspertët thonë se kjo valë protestash është më e madhja që ka përfshirë Nepal në dekadat e fundit dhe se pas kërkesës për liri në rrjete sociale, fshihet pakënaqësia e gjeneratës së re ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit të qeverisë.