Krahu i djathtë i Licit ndihmoi Ragip Gilën për të vrarë vëllain e Bajrit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.09.2025, 11:35

Barush Bregu, 39 vjeç, i njohur gjithashtu me emrin Bajram Bregu, është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si bashkëpunëtor dhe përkrahës i autorit të masakrës në Shkodër, Ragip Gila. Ai akuzohet për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Vjedhje”.

Sipas autoriteteve, Bregu është një kontingjent i njohur kriminal dhe i identifikuar si krahu i djathtë i grupit të njohur të “Licëve” në Shkodër. Bregu është shpallur në kërkim bashkë me një 17-vjeçar i cili akuzohet si bashkëpunëtor për atentatin e djeshëm me 2 viktima e 2 të plagosur.

Bregu, së bashku me një 17-vjeçar, kishte në përdorim një banesë të një shtetaseje që jeton jashtë vendit, të cilën e kishte kthyer në bazë për veprimtari kriminale. Gjatë kontrollit në këtë banesë, policia ka sekuestruar një arsenal armësh, përfshirë një armë automatike, 6 pistoleta, municion luftarak, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në Lezhë, si dhe 5 dronë me pajisje shtesë për survejim.

Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Barush Bregu dyshohet edhe si personi që ka ndihmuar Ibrahim Liçin në çdo lëvizje të këtij të fundit.

Barush Bregu është një emër mjaft i njohur për autoritetet policore. Në 2016 është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov. Po në atë vit teksa po ndiqej nga policia Bregu arriti që t’i shpëtojë ndërsa përplasi me mjetin e tij dy patrulla të policisë.

Përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë person i shpallur në kërkim dhe në vitin 2019 u arrestua në Tiranë në banesë me qera tek “Komuna e Parisit”. Barush Bregu dyshohet nga policia e Shkodrës edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale sëbashku me Ibrahim Liçin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit