Në kërkim dy bashkëpunëtorët e Ragipit në Shkodër, zbulohet baza me municione luftarake

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.09.2025, 11:26

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të autorit të atentatit të ndodhur më 8 shtator në një lokal në lagjen “Qemal Stafa”, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Në pranga u vu autori i dyshuar, shtetasi Ragip Gila, 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili akuzohet për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Të shpallurit në kërkim janë shtetasi B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në përgatitjen e atentatit duke siguruar armët, mjetet dhe pajisjet për kryerjen e krimit.

Gjatë hetimeve, policia zbuloi një banesë të përdorur si bazë nga të dy, në pronësi të një shtetaseje që ndodhet jashtë vendit. Aty u gjetën dhe u sekuestruan një arsenal armësh dhe pajisjesh të rrezikshme: një armë zjarri automatike, 6 pistoleta, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në Lezhë, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje për dronë, një laptop dhe 5 aparate fotografike.

Ndërkohë, gjatë arrestimit të autorit të dyshuar, policia i gjeti dhe sekuestruan një automatik, një pistoletë me fishek në fole, një skafandër, një maskë, një jelek antiplumb dhe një shishe 1.5 litra e mbushur me lëndë djegëse. Gjithashtu, Gila kishte vjedhur një automjet nën kërcënimin e armës për të ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa në vendin e krimit kishte lënë një motomjet pa targa dhe pa numër shasie.

Hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:

-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

U sekuestruan:

-2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;

-automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar:

1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit