Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:50, në aksin rrugor Krumë–Golaj në Has. Dy automjete tip Benz u përplasën 'kokë më kokë' me njëri-tjetrin, duke shkaktuar pasoja tragjike.
Si pasojë e përplasjes fatale ka humbur jetën në vendngjarje një nga drejtuesit e mjeteve, shtetasi me iniciale N. S.. Ndërkohë, janë plagosur drejtuesi tjetër, N. L., si edhe pasagjeri Z. N.. Të dy janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një dëshmitar që raportoi nga vendngjarja për JOQ Albania tha:
“Aksident në Pla të Hasit, një i vdekur, dy të tjerë nuk dihet gjendja e tyre. Mjeti gri po udhëtonte me shpejtësi të madhe, ndërsa mjeti i zi që po dilte nga karburanti u godit nga benzi gri.”
JOQ Albania ka siguruar edhe pamje nga aksidenti tragjik, ku shihen automjetet e përfshira, njëri prej të cilëve (mjeti ngjyrë gri) thuajse i shkatërruar plotësisht.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa policia ka nisur procedurat ligjore.