Një aksident i rrezikshëm ka ndodhur paraditen e kësaj të hëne në rrugën “Kongresi i Dibrës” në qytetin e Kamzës, ku drejtuesi i një automjeti ka humbur kontrollin duke u përplasur fuqishëm me një shtyllë elektrike që ndodhej në krah të rrugës.
Në pamjet e siguruar nga JOQ Albania, shihet momenti kur shoferi i automjetit nuk e merr kthesën si duhet, por ecën drejt duke u përplasur fuqishëm me shtyllën. Makina spostohet dhe pjesa e pasme kalon në korsinë tjetër.
Nga aksidenti fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale. Një qytetar thotë se shoferi u largua nga vendi i ngjarjes pa njoftuar fare policinë. Policia u njoftua nga vetë qytetarët, por po sipas këtyre të fundit, askush nuk është paraqitur në vendin e ngjarjes.
Mesazhi i plotë i mbërritur në redaksinë tonë:
“Përshëndetje JOQ! Doja të ndaja një rast me ju, ku një makinë ditën e sotme është përplasur me një shtyllë në Kamëz, ku për pak rrezikoi jetën e kalimtarëve në rrugën “Kongresi i Dibrës”.
Është larguar pa lajmëruar policinë, kur për pak pati hyr në një banesë. Njoftova Shefin e komisariatit por nuk erdhi njeri.”