Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Ragip Gila, 30 vjeç, i arrestuar si autori i dyshuar i ngjarjes, ka dhënë deklaratën e tij të parë para hetuesve, duke pranuar se kishte si objektiv vetëm një person: Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të,” mësohet të ketë thënë Gila në polici, duke këmbëngulur se nuk kishte ndërmend të qëllonte ndaj personave të tjerë që ndodheshin në lokal.
Sipas deklarimeve të dhëna para hetuesve, Gila pretendon se kishte një konflikt të vazhdueshëm me Vason.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë".
Kujtojmë se nga atentati me armë zjarri mbetën të vrarë në vend Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa i plagosur ka mbetur Erogen Vaso alias Brajoviç, që dyshohet të ketë qenë shënjestra kryesore, dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej në krye të detyrës në ambientet e lokalit.
Gila u arrestua pak pas ngjarjes, pas një ndjekjeje policore që përfundoi në zonën e njohur si "Zalli i Kirit". Gjatë arratisë, ai u rrëzua nga një lartësi poshtë shinave të trenit dhe pësoi dëmtime në këmbë. Në momentin e dorëzimit, ai mësohet të ketë thënë:
“E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.”
Pas arrestimit, ai është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe më pas ka dhënë dëshminë e tij fillestare.
Megjithatë, burime nga grupi hetimor theksojnë se dëshmia e Gilës nuk është marrë si përfundimtare. Policia dhe prokuroria po hetojnë nëse ai ka vepruar i vetëm, apo nëse pas atentatit fshihet një grup i strukturuar që mund të ketë porositur vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë nën mbrojtje policore. Hetimet janë në vijim dhe autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në organizimin apo ekzekutimin e atentatit.