Një prind nga Tirana ka ngritur një ankesë publike pas pamundësisë për të regjistruar fëmijën në Kopshtin nr. 45 "Katër Stinët", ndonëse banon vetëm një minutë larg këtij institucioni arsimor.
Ai ka treguar se aplikimin e ka bërë që në fillim të qershorit 2025, por përgjigjen negative se "nuk ka më vende të lira" e ka marrë mbrëmjen e së dielës, më 7 shtator, rreth orës 20:15.
Ai thotë se si shumë banorë të tjerë, kanë breza që jetojnë në këtë zonë, por shteti nuk u pranon fëmijët në kopsht dhe nuk u jep asnjë zgjidhje atyre që punojnë e s'kanë mundësi të paguajnë kopshtet private.
Sipas tij, problemi në këtë rast, por edhe çfarë ka dëgjuar nga prindër të lagjeve të tjera, është më i thellë. Ai thotë se shumë kuota në kopshte dhe çerdhe publike zihen nga fëmijë që nuk janë rezidentë të zonës, por që prindërit e tyre paguajnë para nën dorë ose shfrytëzojnë njohje në administratë për t’i futur fëmijët në kopshte afër vendeve të punës.
“Këta që s’janë të zonës, i fusin në kopshte sepse paguajnë ose kanë miq. Ne që banojmë këtu prej vitesh, s’na pranojnë fëmijët. Nuk kemi ku të ankohemi,” – shton ai.
Kjo situatë ka nxitur shqetësime të thella për drejtësinë dhe transparencën në shpërndarjen e kuotave në kopshtet publike të Tiranës, sidomos në zona të populluara ku kërkesa është e lartë.
Prindërit kërkojnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, me në krye Zhaneta Beqirin, por edhe Drejtoria Arsimore e Tiranës që të rishikojnë procesin e përzgjedhjes dhe regjistrimit të fëmijëve, duke garantuar që përparësi të kenë banorët e zonës dhe jo ata që kanë miq. Kjo situatë ka qenë e përsëritur në shumë njësi administrative të Tiranës, dhe shpesh kalon pa hetim të thelluar, edhe pse është një formë diskriminimi social dhe abuzimi institucional.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje. Si jeni? Dua te bej nje ankes nenlidhje me kopshtet per femijet. Kam ber aplikimin qe ne fillim te qetshor 2025 per ta regjistruar femjen dhe dje ne darke, dite e diele ora 20:15 me vjen pergjigjia nuk ka vende te kopeshti. Ekam 1 minut large nga shtepia jam banues i vjeter ne tirone lindur gjyshi, prinderit, une dhe femijet. Eshte ber problem me drejtorit e kopeshteve dhe cerdheve Une e kisha femijen per ne kopesht ata nul ma marin Nuk kemi ku ta cojme Jemi ne pune Ketu nuk ka ku te ankohesh Ju lutem publikoheni se ka dhe shume prinder qe nuk ja kan mare femijen ne cerdhe dhe kopesht Komshit e mi Kopeshti nr..45 kater stinet Tirane Kam ber ankes thjesht thon nuk ka vende Ngelem tani Ketu shteti nuk e vrete mendjen Nuk dim cfare te bej tani Kam ngelur Komplet i zhgenjyer
