Shkodër apo Medelinë, 12 viktima në 11 muaj, për çfarë shërben Policia e Shtetit?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 08.09.2025, 16:33

Çdo javë Shkodra merr pamjen e zezë, breshëri plumbash, sirena ambulancash e barela që çojnë viktimat drejt morgut.

12 viktima në 11 muaj, kjo është panorama e trishtë e qytetit të Shkodrës, që tashmë ka marrë pamjen e një arene mes përplasjes së bandave kriminale, ku çdo qytetar shkodran sot ka frikë të kalojë dhe pragun e shtëpisë pasi plumbat nuk kursejnë as më të pafajshmit.

Ndër më famëkeqet mbetet masakra e 30 tetorit 2024 në Dobraç me 4 viktima, Hamza Lici dhe Arlind Bushati u shuan në lule të rinisë, ndërsa mllefi për hakmarrje nuk kurseu as çiftin Flutura dhe Bashkim Basha.

Ndërkohë që atentati mafioz i ditës së sotme nuk kurseu sërish të pafajshmit. Viktimë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa i plagosur rëndë mbeti Erogen Vaso alias Erogen Bajri, shënjestra e dyshuar e atentatit dhe një kameriere 25-vjeçare e cila ishte në krye të detyrës.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pasi në zemër të Shkodrës, 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua me 8 plumba. Lista e viktimave në Shkodër për këtë vit sa vjen e zgjatet:Piro Prroni u vra pak javë më parë në Abat të Shalës, Frrok Lleshi u ekzekutua në Paçram, Pavlin Preka u qëllua në “Guci e Re”, Anila Ndoka Prendushiqë humbi jetën pas dhunës nga partneri, ndërsa Ramzan Mataj në Postribë.

Ky bilanc i ngjan një kronike lufte dhe jo një qyteti europian pasi çdo javë qyteti tronditet nga vrasje, atentate dhe gjakderdhje, e Policia e Shtetit vazhdon të heshtë. Shkodra është kthyer në një arenë të hapur përplasjesh mes bandave kriminale. Konfliktet e grupeve që kontrollojnë territore, pazare dhe hakmarrje të vjetra po zhvillohen hapur, në rrugët kryesore të qytetit, në mes të ditës e natës, duke e kthyer jetën e qytetarëve në një skenar horror ku askush nuk ndihet i sigurt.

Por ndërsa krimi bën ligjin, Policia e Shkodrës, hesht, shikon dhe nuk vepron, paraqitet në vendngjarje për të numëruar e mbledhur kufomat, jo për të parandaluar vrasjet. Ky nuk është më thjesht dështim policor është kapitullimi i saj përballë krimit. Tani përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi drejtuesin e uniformave blu, i cili prej muajsh ka humbur kontrollin mbi qytetet e Shqipërisë, me Shkodrën si shembullin më tragjik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit