Specat nga Shqipëria që u bllokuan në Slloveni, me 3 lloje pesticidesh! Autoritetet tona i certifikuan me vulë sigurie!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08.09.2025, 15:54

Autoritetet e sigurisë ushqimore në Slloveni kanë tërhequr nga tregu një sasi specash të ardhura nga Shqipëria, duke paralajmëruar qytetarët që të mos i konsumojnë.

Analizat laboratorike të kryera më 26 gusht zbuluan praninë e tre llojeve të pesticideve të rrezikshme në produkt. Për këtë rast, në sistemin evropian të sigurisë ushqimore RASFF është dhënë një “njoftim alarmi” nga pala sllovene.

Kujtojmë se edhe në korrik, një tjetër ngarkesë me speca shqiptarë u ndalua nga tregu në Slloveni për shkak të të njëjtit problem.

E KUJT ËSHTË PËRGJEGJËSIA

Sipas procedurave, produkti duhet të kontrollohet fillimisht nga agronomët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), për të verifikuar përdorimin e pesticideve gjatë rritjes. Po ashtu, AKVMB dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) duhet të monitorojnë farmacitë bujqësore për të siguruar që pesticidet e tregtuara janë të miratuara nga Ministria e Bujqësisë. Shpesh është ngritur shqetësimi se preparate të ndaluara futen kontrabandë në treg, ashtu siç ndodhi me rastin e 20 tonëve mandarina të bllokuara në Kroaci në fund të vitit 2024.

KONTROLLI I ESKPORTUESIT

Pas grumbullimit të produktit tek fermerët, eksportuesi ka detyrimin të njoftojë AKVMB. Agronomi i institucionit kryen kontrollin përfundimtar dhe lëshon certifikatën fitosanitare. Paralelisht, kompania eksportuese duhet të kryejë analizat e veta mbi produktin. Pa këto dy vula sigurie, produkti nuk mund të kalojë kufirin.

Megjithatë, në rastin e specave të kapur në Slloveni, lind pyetja: nëse kontrollet janë bërë, si është e mundur që produkti rezultoi i ndotur me pesticide të ndaluara? A janë manipuluar të dhënat, apo analizat nuk janë kryer fare?

Roli i AKU-së

Pas evidentimit të një rasti të tillë, është detyrë e AKU-së të gjurmojë origjinën e produktit – nga fermeri, përdorimi i pesticideve dhe farmacitë që i kanë tregtuar ato.

Nëse bëhet fjalë për pesticide të ndaluara, duhet të sqarohet se si kanë hyrë në tregun shqiptar. Një tjetër përgjegjësi e AKU-së është të verifikojë nëse produkti i ndotur është shpërndarë edhe në tregun vendas dhe në këtë rast, të bllokojë menjëherë ngarkesën apo të paralajmërojë konsumatorët, siç vepruan autoritetet sllovene.

Një problem i përsëritur

Nga janari deri në këtë ngjarje me specat, janë regjistruar 21 raste me produkte shqiptare të refuzuara nga tregjet e huaja për shkak të pesticideve mbi normë apo prezencës së salmonelës tek produktet e peshkut. Shumica e sinjalizimeve kanë ardhur nga Kroacia.

Heshtja e autoriteteve

Megjithë përsëritjen e këtyre skandaleve, rastet kur institucionet shqiptare kanë reaguar publikisht ose kanë kërkuar përgjegjësi penale, janë të rralla. Edhe për specat e fundit të bllokuar në Slloveni, deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit