Shkodra u trondit mbrëmjen e së enjtes nga një atentat mafioz i ndodhur në qendër të qytetit. 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua me armë zjarri nga dy autorë të paidentifikuar, teksa pinte kafe me një mik pranë “Kinema Republikës”. Plumbat e lanë të vdekur në vend, duke shkaktuar panik dhe frikë te qytetarët.
Teksa hetimet vijojnë, familja e viktimës hedh akuza të rënda ndaj autoriteteve. Babai i Kristianit deklaroi për mediat se ambulanca mbërriti me vonesë dhe se lajmin për vrasjen e të birit e mësoi nga mediat e huaja. Ai shprehet se djali i tij nuk kishte konflikte dhe se punonte çdo ditë në ndërtim.
“E mora vesh nga mediat e huaja, doli pas pune me shokë për një kafe dhe e vranë në pabesi. Djali im ka punuar 10 orë në ndërtim, nuk është marrë me asgjë tjetër. Ishte i urtë, i shoqërueshëm, nuk kishte konflikte. Atentati ka ndodhur para syve të qytetarëve. Këtu 99% është dora e policisë dhe e shtetit, që u hap rrugë vrasjeve me pagesë”, tha i ati.
Ai shtoi se Kristiani nuk kishte pasuri apo probleme personale: “Nuk ka qenë i martuar, por ka pasur një lidhje, e cila është mbyllur me mirëkuptim. Ka pasur vetëm një automjet në emër të tij. Natën e atentatit ishte me një shok që rrinte gjithmonë. E lanë për një orë në tokë, sikur të kishte ardhur ambulanca më herët ndoshta mund të shpëtonte.”
Në një moment të fortë emocioni, babai i viktimës paralajmëroi për vetëdrejtësi, nëse autorët nuk kapen e nuk dënohen: “Po mendoj për hakmarrje. Nëse më del para ai që vrau djalin, do e vras. Do marr hak edhe ndaj atyre policëve që s’bënë asgjë. Nuk kam frikë, edhe mua mund të më vrasin pas shpine. Policia e Shkodrës duhet hequr me rrënjë e me themel.”
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa qyteti i Shkodrës mbetet i përfshirë nga frika e atentateve mafioze që përsëriten prej vitesh.