Pas zgjedhjeve të 11 Majit dhe pushimeve verore, më 12 shtator në orën 10:00, Parlamenti i ri do të hapë sezonin e ri politik dhe do të mbajë seancën e parë të legjislaturës së 11-të. Një shfaqje që pritet të jetë po aq e njohur dhe e parashikueshme sa ato të viteve të mëparshme, me të njëjtin kast aktorësh kryesor dhe me skenar të përsëritur.
Populli është i ftuar të zërë vënedet përpara ekraneve, me kokoshka në dorë. Regjia është e njëjtë, skenaristët të vjetër, por kastit i janë shtuar disa aktorë të rinj dytësor me potencial humori. Sezoni i ri parlamentar do të vazhdojë serialin ku PS me 83 mandate do të mbajë rolin kryesor, ndërsa opozita me 50 vende do të mundohet të bëjë ndryshim pa ndryshuar asgjë.
Më 11 shtator, Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë e saj, ku do të prezantohen edhe ministrat e kabinetit “Rama 4”. Në anën tjetër, opozita ende nuk ka caktuar datën e mbledhjes së kryesisë dhe grupit parlamentar, duke lënë në pritje publikun.
Por pyetja që lind është: Në këtë shfaqje të përvitshme ku rolet janë të përcaktuara dhe rezultatet të parashikueshme, a do të ketë ndonjë ndryshim për popullin? Apo ai do të mbetet thjesht spektator, që paguan biletën dhe ndjek me shpresë, ndërsa politikën e sheh si një teatër ku gjithmonë luajnë të njëjtët aktorë?