Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Rëmbec të Maliqit, pasi 58-vjeçari Jorgi Ajredini ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas plagëve të rënda të marra në kokë më 13 gusht.
Fillimisht, ngjarja u klasifikua nga Policia e Korçës si aksidentale, duke u raportuar se i ndjeri ishte goditur nga kali. Por familjarët pretendojnë se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.
Ajredini u transportua fillimisht në spitalin e Korçës, por për shkak të gjendjes së rënduar u dërgua në Tiranë, ku qëndroi 15 ditë në koma derisa humbi jetën më 7 shtator. Sipas familjarëve, Jorgi Ajredini u gjet në një kanal pranë fushës së sportit në fshat, me disa plagë në kokë, përfshirë ballin, pas veshëve dhe në nofull, që sipas tyre nuk përputhen me një goditje aksidentale nga një kafshë.
Vëllai i viktimës, Agustin Ajredini, deklaron se i ndjeri ka arritur të artikulojë disa fjalë para se të binte në gjendje kome, duke i thënë:
“Nuk më ka goditur kali, më goditi një person nga Pogradeci, i shkurtër në shtat. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë. Me pak fjalë e kanë goditur. Atij i bënë pritë."
Një tjetër vëlla, Ilia Ajredini, ngre dyshime të forta për një konflikt të mëparshëm familjar, duke përmendur një ngjarje të ndodhur më shumë se një vit më parë, kur Jorgi Ajredini ishte përfshirë në një përplasje me një banor të fshatit, i cili kishte pasur lidhje me ish-bashkëshorten e viktimës.
"Ka pasur një konflikt me një djalë nga Rëmbeci, ai u dënua dhe bëri burg. Ishte punë dashurie, ndarje familjare. Vëllait tim ia mori të shoqen ky djalë dhe e goditi me sopatë. Ngjarja ka mbi një vit e gjysmë. Nuk besoj të jetë i njëjti autor, por nga goditjet që pashë janë me sende të rënda, nga ato që pashë unë në spital në Tiranë. Në Tiranë ndenji 15 ditë në koma, mjekët thanë se ishte në gjendje të rëndë. Ekspertiza nuk na dha përgjigje, por prokurorisë së Korçës. Ne po e varrosim vëllain, por duam të zbardhet ngjarja. Nuk e ka goditur kali, 1000%".
Daja i të ndjerit, Kostaq Kosturi, tha për mediat se edhe mjeku që e kishte trajtuar në Tiranë, ka kundërshtuar versionin e goditjes nga kali, duke deklaruar se plagët janë pasojë e goditjeve me mjete të forta dhe se nuk ishin në përputhje me një incident kafshe.
"Ne e informuam doktorin se policia e Korçës tha se e kishte goditur kali, por ai na tha se nuk e ka goditur kali, por është goditur me mjete të forta. U nxeh duke shtuar: “Ku është policia e Korçës, pse nuk vjen këtu?” Ne i kërkuam ta shohim, por mjeku na tha: “Nesër do t’ju kontaktoj.” Pas dy ditësh e pamë, ishte në gjendje të rëndë".
Pas vdekjes së 58-vjeçarit, Prokuroria dhe Policia e Korçës kanë rihapur hetimet për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale apo aksidentale. Deri më tani, janë shoqëruar dhe pyetur rreth 15 persona, mes të cilëve familjarë dhe banorë të fshatit. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu kamerat e sigurisë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, të cilat po analizohen nga ekspertët.
Grupi hetimor është në pritje të raportit përfundimtar mjeko-ligjor, i cili do të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes së Jorgi Ajredinit dhe do të orientojë më tej rrjedhën e hetimeve.