Gjykata e Shkodrës “fali” kriminelin, qyteti pagoi me gjak

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 08.09.2025, 13:52

Një vendim gjyqësor i marrë vetëm pesë muaj më parë ka hapur rrugën për një nga ngjarjet më të rënda kriminale në Shkodër. Autori i dyshuar i masakrës së sotme, Ragip Gila, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, ishte liruar në mars 2025 nga Gjykata e Shkodrës.

Me një vendim të nënshkruar nga gjyqtari Albert Keraj, i riu që në dhjetor 2023 ishte kapur me arsenal armësh, uniforma policie, municion luftarak dhe drogë, u dënua vetëm me 3 vite e 4 muaj burgim, por iu dha liria “në shërbim prove”, me kushtin absurd që të mos shoqërohej me persona të inkriminuar dhe të mos mbante armë.

Në dokumentin zyrtar shkruhej se Gila duhej të raportonte tek Shërbimi i Provës për pesë vite, duke e shndërruar një të arrestuar me precedent kriminal në një “qytetar nën mbikëqyrje”. Vetëm pak muaj pas kësaj amnistie të fshehur nën emrin “lirim me kusht”, Shkodra u zgjua me krismat e kallashnikovit dhe trupat e dy të vrarëve në qendër të qytetit.

Në dhjetor 2023, operacioni policor “Imazhi fals” zbuloi në banesën e tij 7 jelekë antiplumb, maska, paruke, municion lufte, një armë gjahu, sasi kanabisi dhe mjete tipike që përdoren nga grupet kriminale. Materialet iu referuan prokurorisë për veprat penale të drogës dhe armëve, por në vend që të mbahej pas hekurave, Gila u rikthye në rrugë i lirë.

Pyetja që lind sot është e thjeshtë, si është e mundur që një person i kapur me arsenal lufte dhe i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, në vend që të vuante dënimin, u la i lirë? Kush mban përgjegjësi për gjakun e derdhur sot në mes të qytetit?

Masakra e Shkodrës nuk është thjesht një akt i një individi, por pasojë direkte e një vendimi gjyqësor të pajustifikueshëm, që e ktheu drejtësinë në mburojë për krimin, duke e lënë qytetin të pambrojtur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit