Disa javë më parë JOQ Albania denoncoi publikisht platformat mashtruese që po zhvatnin xhepat e shqiptarëve nëpërmjet skemave piramidale online.
Dy prej tyre ishin “TXEX” dhe “XUEX”, të cilat sipas raportimeve kanë mashtruar mbi 6 000 shqiptarë, të cilëve u kanë zhvatur rreth 5 milion $.
Pas publikimit të rasteve konkrete nga ana jonë, Policia e Shtetit dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) “reaguan” duke deklaruar se kanë nisur hetimet dhe qytetarët duhet të kenë kujdes, por thjesht ky njoftim s’ka mjaftuar dhe JOQ Albania paralajmëroi qartë se situata ishte më serioze se kaq.
Paratë të cilat qytetarët i hoqën nga “buka e gojës” dhe kursimet e viteve të punës, u bllokun në platformat online dhe ata nuk mundin t’i tërheqin më mbrapsht.
Një zonjë Gramshi i është drejtuar redaksisë sonë për të treguar historinë e saj, dhe për të paralajmëruar qytetarët e tjerë që të mos bien dhe ata pre e këtij mashtrimi si ajo vetë.
Shqiponja tregoi se ra pre e skemës “XUEX” nëpërmjet komshies së saj me emrin Dëshira. Pasi komshia e bindi se do të dilte me fitim nëse investonte, Shqiponja dhe bashkëshorti i saj hoqën 1 milion lekë nga kursimet dhe ia dhanë bashkëshortit të Dëshirës për t’i investuar.
Pasi skema dështoi, Shqiponja humbi paratë e saj, ndërsa komshia që e bindi nuk mbajti asnjë përgjegjësi. Denoncuesja shton se kur komshia mësoi lajmin se skema ishte mashtrim shkoi dhe tërhoqi paratë e investuara, ndërsa asaj nuk i dha asnjë lekë.
“Dëshira, o bjer lekët, o unë do të denoncoj! Ju hoqa bukën e gojës fëmijëve. Ti fitimin tënd e more, prandaj unë nuk dua fitimin, dua vetëm 1 milion lekët e mia,” është thirrja publike që Shqiponja i bën dëshirës.
Ky rast duhet të shërbejë si një shembull për të mos u mashtruar nga skema të ngjashme.
Më poshtë mesazhi i plotë i denoncueses:
Përshëndetje JOQ! Unë jam Shqiponja, një nga qytetarët që kam rënë preh e mashtrimit me këtë “Xuex-in”.
Një komshia ime me emrin Dëshira më mashtroi mua dukë më thënë duhet investuar këtu. Unë kam hequr 1 milion lekë kursime nga buka e gojës së fëmijëve të mi dhe i kam futur te llogaria e bashkëshortit të Dëshirës. I bëj thirrje shtetit të reagojë t’i nxjerrë përpara drejtësisë këta persona që mashtrojnë, që po marrin lekët dhe nuk mbajnë përgjegjësi për mashtrimin.
Gjithashtu u bëj thirrje qytetarëve të tjerë që të mos bien viktima si puna ime!
Dëshira, o bjer lekët, o unë do të denoncoj! Se ti me mashtrime që nga viti i ri. Më je lutur futi se do fitosh. Jo u fut ky po u fut ai. Jo u futën pleqtë nga Kabashi, jo do fut gocën me emrin e vjehrrës se nuk e ka mbushur moshën... si e si t’më mbushje mendjen.
Po ashtu çuni jot Klevi ndejti 1 javë çdo natë vinte derisa na mashtroi. Ju hoqa bukën e gojës fëmijëve! E more vesh që do mbylleshin dhe vajte i tërhoqe lekët të premten, dhe mua nuk më dhatë gjë. Plus Klevi nuk ja kishte shkarkuar Mandit për tërheqje lekësh, ndërkohë Renit Rexhepit ia kishte shkarkuar. Po ashtu dhe Klenit! Ti fitimin tënd e more, prandaj unë nuk dua fitimin, dua vetëm 1 milion lekët e mia.
Kjo është foto që i ka bërë burri kur ia dha lekët djalit të Dëshirës. Ju lutem publikojeni që të merren masa.