Është publikuar fotoja e rumunit Daniel Cornea, i dyshuar si autori i ekzekutimit mafioz të rojes Renato Hoxhajt, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 27 prillit të këtij viti në Vlorë. Cornea, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, rezulton person me precedent të rëndë penal në fushën e krimeve kundër jetës.
Pamjet e siguruara nga mediat tregojnë momentin kur autori largohet me qetësi nga vendngjarja, pas atentatit. I maskuar dhe me kapele dhe një bark fals, ai i ka zënë pritë 58-vjeçarit para shtëpisë dhe kur sapo Hoxhaj është afruar pranë banesës, është ekzekutuar me tre plumba, 2 në kokë dhe një në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Pas ekzekutimit, Cornea u zhduk nëpër një shteg me bimësi, duke u ngjitur drejt kodrës së njohur “Kuzum Baba”, ku ka humbur dhe çdo gjurmë.
Hetimet kanë çuar deri më tani në dy arrestime si bashkëpunëtorë të ngjarjes. Më 30 prill u vu në pranga Eris Mehmetaj, i dyshuar se siguroi automjetin me të cilin u lëviz ditën e atentatit. Mehmetaj,i njohur si një nga miqtë më të ngushtë të Roan Brahimit alias Sidorel Prendi armiku kryesor i Martinajt i ekzekutuar në Greqi shfaqej shpesh në rrjete sociale mes luksit në Dubai. Po ashtu, më 1 gusht u arrestua në një makinë tip “Audi” të bardhë Kleanth Bylyku alias Armando Gega, që gjithashtu dyshohet për rol ndihmës në atentat.
Sipas grupit hetimor, gjurmët e krimit çojnë sërish në Dubai, strehën e bandave shqiptare, prej nga dyshohet se u dha urdhri për eliminimin e Hoxhajt. Pista kryesore është se viktima mund të ketë shërbyer si informator për një grup rival, çka e ktheu në shënjestër të një ekzekutimi të paguar.