Simboli i Shqiponjës, që dikur qëndronte në hyrje të Tiranës, do të vendoset tani në Kukës, në rrethrrotullimin e Gostilit.
Monumenti që u vendos në vitin 2012, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, por u hoq në nëntor të vitit 2018 për shkak të punimeve për Unazën e Madhe të kryeqytetit, i është dhuruar bashkisë Kukës nga një biznesmen.
Por vendosja e shqiponjës metalike po rezulton me kosto të konsiderueshme për buxhetin lokal dhe kjo ka ngjallur shumë polemika.
Qytetarët kuksianë kanë denoncuar në redaksinë tonë tenderin me vlerë 43 milionë lekë të vjetra, që Bashkia Kukës ka shpallur për punimet e bazamentit, betonit dhe dekorit rrethues të monumentit.
Sipas dokumenteve të publikuara në sistemin e prokurimeve publike, por edhe tabelave të afishuara në vendin e punimeve, fondi limit 43 milion lekë të vjetra, afati i punimeve 2 muaj (gusht-tetor 2025) dhe kompania fituese është "XHAST shpk" me pronar Agim Krajën, fitues i disa tenderave në Kukës.
Sipas kuksianëve, vlera e këtij tenderi është e fryrë dhe aspak e justifikueshme, duke theksuar se kjo shumë përkon me çmimin e një apartamenti mesatar 1+1 në qytetin e tyre. Ata thonë se bazamenti i monumentit, por edhe dekorimet, nuk vlejnë 43 milionë lekë, prandaj u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që të hetojnë tenderin dhe të verifikojnë kostot reale të projektit.
Denoncimi i qytetarit:
"Pershendetje JOQ, 43 milion leke per betonin e Shqiponjes ne Kukës. Shqiponja eshte e dhuruar nga nje biznesmen. Ajo qe ka qen tek Rrethi tek Shqiponja ne Tirane do vendoset ne Kukes. Tani bashkia Kukes ka nxjerr tender per betonin ose me sakte per dekorin e shqiponjes por 43 milion lek eshte = me nje apartament ne Kukes 1+1"



