Detaje të reja janë bërë publike nga atentati i rëndë i ndodhur mëngjesin e së hënës në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso (alias Brajoviç) dhe kamarierja Meri Kaceri. Autori i dyshuar, Ragip Gila, 28 vjeç, ka hyrë i armatosur me dy armë zjarri dhe me jelek antiplumb në ambientet e lokalit ku ndodheshin viktimat, duke qëlluar me breshëri plumbash.
Pasi ka kryer atentatin, ai ka dalë nga dera e pasme e lokalit dhe në rrugicën pas Bashkisë ka ndaluar një automjet tip BMW gri. Nën kërcënimin e armës ka detyruar drejtuesin të zbresë dhe është larguar me makinën e grabitur. Gjatë arratisë është përplasur me dy automjete të tjera në rrugë dhe më pas ka braktisur mjetin në zonën e lagjes “Skënderbeg”, duke tentuar të fshihet në drejtim të lumit Kir.
Sipas burimeve, shënjestra e atentatit ishte Erogen Vaso, 43-vjeçari i lidhur me grupin kriminal të Bajrave dhe vëllai i Denis Brajoviç, i arrestuar për vrasje me porosi në vitin 2020. Kraja, që mbeti viktimë, njihej si truproja e tij, ndërsa Pali nuk dihet ende nëse ishte objektiv i qëlluar apo viktimë rastësore. Ndërkohë, 25-vjeçarja që punonte si kamariere në lokal ka pësuar plagë të lehta.