Ngjarja e rëndë e regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen “Qemal Stafa”, pranë shkollës “Kole Idromeno” në Shkodër, ka marrë tashmë ka marrë një panoramë të qartë. Burime konfirmojnë se autori i dyshuar, 28-vjeçari Ragip Gila, kishte ndjekur prej kohësh shënjestrat e tij.
Pasi i pa të ulur në një lokal fare pranë Bashkisë, ai u afrua me motor dhe me skafandër në kokë. Në vijim, hyri në këmbë brenda ambienteve dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi. Sulmi fatal la dy persona të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.
Pas atentatit, Gila doli nga dera dytësore e lokalit, duke braktisur motorin në vendngjarje. Ai vijoi arratisjen në këmbë për rreth 300 metra deri në zonën e Perashit. Atje, kërcënoi një qytetar me armë në kokë dhe i grabiti automjetin tip “BMW” gri.
Arratisja nuk zgjati shumë gjatë lëvizjes me makinën e grabitur, 28-vjeçari bëri aksident në zonën e Sarreqit. Pamja e tij me skafandër tërhoqi menjëherë vëmendjen e policisë. Ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë.
Forcat e rendit u vunë menjëherë në ndjekje. Pas një rrethimi në zonën e “Zallit të Kirit”, pranë shtratit të lumit Kir dhe hekurudhës, autori i dyshuar u neutralizua dhe u vu në pranga.
Shënjestër e këtij atentati dyshohet se është Erogen Vaso alias Erogen Bajri, vëllai i Denis Bajrit si dhe pjesë e grupit kriminal Bajri ndër më të rrezikshmit në Shkodër.