Vrasja e Kristjanit dhe masakra e sotme në Shkodër, dyshohet për të njëjtin autor

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.09.2025, 12:49

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin që tronditi Shkodrën mëngjesin e sotëm ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Ka dyshime se autori i kësaj masakre në lagjen “Qemal Stafa”, pranë shkollës “Kole Idromeno” mund të jetë i njëjti me atë të vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, te “Kinema Republika” mbrëmjen e 4 shtatorit.

Sipas mediave, hetimet dhe analizat e kamerave të sigurisë tregojnë se autori i dy ngjarjeve ka tipare fizike të ngjashme dhe ka përdorur një metodë të njëjtë ekzekutimi, duke qëlluar nga një motor me dy armë dhe duke pasur me vete një bidon me benzinë.

Për vrasjen e Kristjan Kolës deri më tani s'ka asnjë shenjë nga autori/ët, përveç një motori të djegur, ndërkohë që për masakrën e sotme me 2 viktima dhe 2 të plagosur, policia ka arrestuar 28-vjeçarin Rakip Gila.

I riu i cili kishte dalë pak kohë më parë nga burgu, u kap teksa tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes. Ai braktisi motorin me të cilin lëvizi kur kreu atentin dhe u përfshi në një aksident me një makinë tip 'BMW' në zonën e ish-kryqëzimit të “Degës”, kur po arratisej.

Gila ishte arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe trafik droge, por ishte liruar nga autoritetet. Ai dyshohet të jetë një vrasës me pagesë, ndërsa hetimet për motivet dhe lidhjet e tij kriminale vazhdojnë.

Viktimat e atentatit të sotëm janë Armando Pali, ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, dhe Liridon Kraja. Të plagosur mbeten Erogen Vaso (i njohur si Erogen Brajoviç), i cili dyshohet si objektivi kryesor i sulmit, dhe kamarierja e lokalit, Meri Kaceri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit