Shkodra u trondit sot nga një atentat mafioz i kryer në mes të ditës , në mes të qytetit fare pranë Bashkisë. Mes viktimave është Liridon Kraja, truproja i Erogen Vasos, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit por fatkeqsisht nuk ia doli ti mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës. Po ashtu, atentati i mori jetën edhe Armando Palit, ndërsa e lënduar mbeti 25-vjeçarja Meri Kaceri, kameriere e lokalit ku ishin ulur personat e shënjestruar gjithashtu dhe vetë shënjestra e dyshuar Erogen Vaso(Bajri), pjesë e klanit famëkeq "Bajri".
Autori i dyshuar i masakrës, Ragip Gila, u arrestua nga policia pak orë pas ngjarjes. Fillimisht ai u largua nga vendi i krimit me një motor, që e braktisi për të vijuar arratinë me një automjet të vjedhur. Por plani i tij u prish kur makina u aksidentua në dalje të qytetit. Gila u detyrua të braktiste mjetin dhe të ikte në këmbë drejt lumit Kir, ku dhe u neutalizua. Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestrua edhe arma me të cilën kreu krimin.
Ky është një nga rastet e rralla kur autorët e atentateve të mirëorganizuara bien në pranga në kohë rekord. Ragip Gila, 29 vjeç, kishte dalë kohët e fundit nga burgu, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar me një arsenal armësh një pushkë gjahu, jelekë antiplumb, municione luftarake, maska dhe paruke.