Shkodra është tronditur mëngjesin e sotëm nga një ngjarje e rëndë kriminale, ku dy persona u vranë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur nga një atentat me armë zjarri në lagjen “Qemal Stafa”, pranë shkollës “Kole Idromeno”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, kur një person i armatosur me breshëri kallashnikovi hyri në ambientet e jashtme të një lokali dhe qëlloi me armë. Viktimat janë identifikuar si Armando Pali, punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, si dhe Liridon Kraja alias Liridon Lushi, i cili ndërroi jetë në spital rreth një orë pas atentatit.
Pali ndodhej në kafene bashkë me mikun e tij, Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, një anëtar i grupit kriminal Bajri, dhe Krajën, truprojën e Vasos, kur 28-vjeçari Ragip Gila iu doli përballë dhe qëlloi me breshëri plumbash.
Armando Pali ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa Liridon Kraja i cili ishte dhëndër i familjes Brajoviç, ka ndërruar jetë në spital. Ndërkohë vetë Erogen Vaso Brajoviç, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit ka mbetur i plagosur bashkë me kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri.
Erogen Vaso alias Brajoviç, është vëllai i të arresuarit Denis Brajoviç, i cili pak kohë më parë u deportua nga Dubai, pasi akuzohet nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër, ku sipas komunikimeve në “Sky Ecc”, krimi u krye me urdhët të grupit të Bajrave për llogari të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Ai është një emër i njohur për policinë pasi në korrik të vitit 2023 emri i tij doli në grupin e Bajrave në Shkodër. Njihet gjithashtu redhe për lidhjet e tij me politikën.
Ai qenë anëtar i Këshillit Bashkiak, por edhe i përfshirë në vepra kriminale. Fillimisht ka qenë këshilltar bashkiak me Partinë Bashkimi për Drejtat e Njeriut, që drejtohet nga Vangjel Dule. Në vitin 2007-të ai është akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”, e njohur ndryshe si gjobëvënie.
Nga ana tjetër si autor të dyshuar të ngjarjes, Policia ka arrestuar 28-vjeçarin Ragip Gila, i njohur si anëtar i grupeve kriminale në Shkodër. Ai ka hyrë në lokal me skafandër në kokë dhe ka hapur zjarr me kallashnikov. Pas atentatit, ka braktisur motorin dhe është larguar me një makinë tip “BMW”, por ka pësuar një aksident dhe është kapur nga policia disa kilometra larg vendit të ngjarjes, në zonën e “Zallit të Kirit”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet e atentatit vijojnë nga Policia dhe Prokuroria e Shkodrës.