Kur hesht shteti, flet plumbi! Shkodra e dorëzuar te krimi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 08.09.2025, 12:14

Atentati i sotëm me dy të vrarë, konkretisht Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, Liridon Kraja alias Liridon Lushi truprojë dhe dy të plagosur konkretisht Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç person me precedentë penal dhe i lidhur me politikën, Meri Kaceri, 25 vjeçe kamariere në mes të qytetit është vetëm pasqyra e një realiteti që po gërryen prej vitesh sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Nuk është rast i parë, por pjesë e një serie ngjarjesh të përgjakshme që shteti i sheh, i dëgjon dhe nuk vepron. As zhurma e kallashnikovit nuk po e zgjon dot më një sistem që është bërë i shurdhër dhe i verbër përballë krimit. Kur një vrasës me precedentë të rëndë del nga burgu pas vetëm pak muajsh dhe shëtit i lirë me armë, atëherë nuk kemi problem vetëm me bandat kemi një problem me shtetin. Ragip Gila, i arrestuar më parë me armatime e pajisje për atentate, ishte sot i lirë të vriste në qendër të qytetit.

Ky nuk është vetëm dështim i sistemit të drejtësisë, por i gjithë zinxhirit institucional nga hetimi te gjykata, nga policia te burgjet. Dhe ndërsa shteti justifikohet, qytetarët dergjen mes frikës dhe indiferencës së politikës. Ngjarja ndodhi në një orar kur nxënës, qytetarë dhe punonjës kalojnë çdo ditë përballë shkollës “Kole Idromeno”. Aty ku dikur ndaleshe për një kafe, sot rrezikon të bëhesh kolateral i luftërave mes bandave.

Shkodra nga djepi i kulturës është bërë një territor ku koka komandohet nga burgu, ndërsa gishti që tërheq këmbëzën shëtit i lirë. Dhe askush nuk mban përgjegjësi as qeveria, as drejtësia, as pushteti lokal. Përplasja e grupeve kriminale është vetëm maja e ajsbergut. Krimi është rritur në hijen e një shteti që herë bën sikur lufton, herë i shërben. SPAK, Prokuroria dhe Ministria e Brendshme nxjerrin deklarata pas çdo atentati, por terreni flet ndryshe, armët, drogat dhe ekzekutimet janë ende aty.

Kur krimi rritet më shpejt se reforma në drejtësi, atëherë kemi dështim kombëtar, jo vetëm institucional. Kjo është një panoramë që nuk nisi sot. Shkodra ka parë masakrën e Dobraçit, vrasjen e Kristian Kolës, zhdukjen e njerëzve pa gjurmë dhe rikthimin e bandave që ishin zhdukur vetëm në letër. Emra si Bajri, Lici, Bushati dhe Vaso nuk janë vetëm dosje në SPAK janë realitet në rrugë, në biznese, në politikë. Dhe ndërsa një pjesë e qytetarëve largohen nga Shkodra për të shpëtuar fëmijët e tyre, bandat po qëndrojnë sepse kanë më shumë garanci sesa qytetari i ndershëm.

Disa ditë më parë JOQ Publikoi një video të një akti dhune në një lokal në Shkodër, ky denoncuesi shprehej se një i ri, anëtar i një familje me precedent kriminal në këtë qytet e kërcënon atë dhe familjen e tij, për hesape "malli". Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodrës, reagoi sot pas ngjarjes, por fjalët nuk mjaftojnë më. As kontaktet me ministrat, as deklaratat për “shokimin” e opinionit publik. Qyteti ka nevojë për aksion, jo për komunikata, për ndërhyrje të fortë, dhe për postime në Facebook.

Shteti nuk ka më luksin të thotë "do hetojmë", ka detyrimin të veprojë. Sepse sa herë që hesht shteti, flet plumbi!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit