Rënie drastike e nxënësve në Korçë: Shkolla të bashkuara, klasa të para që nuk hapen

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.09.2025, 11:14

Viti i ri shkollor 2025-2026 ka nisur me një situatë shqetësuese në sistemin arsimor në Korçë, ku është shënuar një rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me një vit më parë, në shkollat e kësaj bashkie janë regjistruar 3,726 nxënës më pak, duke e ulur totalin nga 21,080 në 17,354 nxënës.

Rënia drastike ka bërë që disa shkolla të qytetit të bëhen bashkë, ndërsa dhjetëra klasa të para nuk janë hapur për shkak të mungesës totale të regjistrimeve.

Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Mësuesve në Korçë, ky reduktim me gati një të katërtën e nxënësve përbën një tregues alarmant, që kërkon ndërhyrje emergjente në politikat arsimore dhe demografike. Situata ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek mësuesit. Shumë prej tyre kanë mbetur pa ngarkesë të plotë mësimore, dhe pritet të sistëmohen si mësues ndihmës ose të angazhohen në programe pas-shkollore për të ruajtur vendin e punës.

Ndërkohë shqetësues është fakti se trendi i rënies vijon edhe në bashki të tjera të Shqipërisë. Në Dibër është regjistruar një ulje e madhe, megjithëse më e moderuar. Këtë vit janë regjistruar 6,204 nxënës, 147 më pak se një vit më parë. Prej tyre, 485 janë nxënës të klasës së parë, ndërsa 418 janë regjistruar në klasën e 10-të.

Në Bashkinë Mat, janë regjistruar 2,208 nxënës, me një rënie prej 69 nxënësish krahasuar me vitin e kaluar. 161 nxënës janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa 192 janë regjistruar në klasën e 10-të.

Sipas ekspertëve të arsimit dhe demografisë, rënia e numrit të nxënësve lidhet ngushtësisht me rënien e lindshmërisë, emigrimin e lartë të familjeve të reja dhe zhvendosjen drejt zonave më të mëdha urbane. Kjo tendencë mund të sjellë pasoja afatgjata në sistemin arsimor, në strukturën e punësimit të mësuesve dhe në zhvillimin ekonomik të zonave të prekura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit