Një qytetar ka raportuar përmes një mesazhi dërguar JOQ për situatën alarmante në liqenin e Funarit, një nga zonat më të njohura turistike të Elbasanit. Sipas dëshmisë së tij, gjatë një vizite të fundit në liqen, ai ka vënë re se uji mungonte pothuajse tërësisht në pjesën më të madhe të sipërfaqes së liqenit.
“Përshëndetje JOQ! Isha për një shëtitje në liqenin e Funarit, në Elbasan, dhe ishte bërë një katastrofë. Ujë në liqen nuk kishte pothuajse fare, në pjesën më të madhe të tij. Çfarë ka ndodhur me atë vend?” shkruan qytetari i shqetësuar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi shkaqet që mund të kenë çuar në këtë situatë, mes dyshimeve për tharje natyrore, keqmenaxhim apo ndërhyrje njerëzore.
Liqeni i Funarit është një destinacion i rëndësishëm për turizmin lokal dhe një burim natyror me vlerë për komunitetin përreth. Deri tani, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për situatën, ndërsa qytetarët kërkojnë sqarime dhe ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të mjedisit.