Mëngjesin e sotëm, Shkodra u trondit nga një atentat me armë zjarri që la pas dy viktima, Armando Pali, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Geridon Kraja, i njohur si truproja i Erogen Vaso (Brajoviç) dhe u plagos Erogen Vaso (Brajoviç), shtetasja M. K., 25 vjeçe, kamariere në lokal. Autori është identifikuar si shtetasi me iniciale Ragip Gila.
Erogen Vaso është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua nga Dubai në korrik për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020, një krim që dyshohet se u krye për llogari të Ervis Martinajt. Erogeni është përmendur gjithashtu në dosje të mëparshme të SPAK, ku në vitin 2023 u identifikua si pjesë e grupit kriminal të Bajrave.
Aktualisht, nuk janë të qarta motivet e përfshirjes së Erogen Brajoviç në ngjarjet e fundit, por autoritetet nuk përjashtojnë pistën e hakmarrjes, për shkak të lidhjeve të tij me grupin e Bajrave. Kjo hipotezë forcohet edhe më shumë nga konteksti i përplasjes mes grupeve rivale në Shkodër, që kanë përfshirë emra si ai i Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, viktima të sulmit të armatosur në masakrën e Dobraçit në tetor 2024, ku humbën jetën edhe një çift kalimtarësh.
Ngjarjet e fundit vijnë vetëm pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, i ekzekutuar në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” më 4 shtator. Seria e atentateve dhe përplasjeve të armatosura tregon për një përshkallëzim të konfliktit mes grupeve kriminale në Shkodër, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e lidhjeve mes këtyre ngjarjeve dhe identifikimin e autorëve.